Është kapur dhe arrestuar autori 49-vjeçar Albert Ostreni, i cili tre ditë më parë la të plagosur 23-vjeçarin Renaldo Mejdani në rrugën “Tasim Shehu” në Tiranë, pas një konflikti banal në një rrugicë.

Në pranga është vënë edhe Fatmir Gega, i cili e kishte strehuar Ostrenin gjatë këtyre ditëve ndërsa po ndiqet penalisht edhe një shtetase tjetër, të dy për përkrahje të autorit të krimit.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 bazuar në informacionet e marra në rrugë operative për vendndodhjen e shtetasit A. P. (O)., kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Fresku”.

Si rezultat i këtij operacioni, në rrugën “Teki Selenica”, u bë lokalizimi dhe arrestimi i shtetasit A. P. (O)., 49 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Vrasja”, mbetur në tentativë, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve luftarake dhe i municionit”, “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”.

Gjithashtu, u arrestua shtetasi F. G., 46 vjeç, për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”, si dhe u procedua penalisht shtetasja E. K., 45 vjeçe, banuese në Tiranë, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.

Shtetasi A. P. (O)., me datë 23.08.2022, ka plagosur me armë zjarri shtetasin R. M., 23 vjeç dhe më pas, i përkrahur nga shtetasi D. O., 45 vjeç, dhe O. I., 39 vjeçe (të arrestuar më parë), është larguar nga vendi i ngjarjes dhe është strehuar në banesën e shtetasit F. G., në rrugën “Teki Selenica”, ndërsa shtetasja E. K., e ndihmonte duke i dërguar ushqime, në banesën ku strehohej 49-vjeçari.

Gjatë kontrollit të banesës të shtetasit A. P. (O), ditën e ngjarjes, me datë 23.08.2022, shërbimet e Policisë, gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, një sasi lënde të dyshuar narkotike kokainë dhe 2 shufra metalike, si ato të Policisë.

Ditën e djeshme, gjatë kontrollit në banesën e shtetasit F. G., shërbimet e Policisë, gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, një dorezë grushti (përforcues metalik).

Vijon puna për gjetjen e armës së përdorur për kryerjen e krimit.

 

Top Channel