Mariglen Muhametaj, 37-vjeçari që vrau të atin mbrëmjen e djeshme duke e goditur atë me sende të forta, është arrestuar mëngjesin e sotëm.

Pas disa orë kërkimesh të pandërprera nga forcat e Policisë së Komisariatit Mallakastër dhe ato të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit Mariglen Muhametaj 37 vjeç, i cili vrau me sende të forta babain e tij, shtetasin Qemal Muhametaj.

Ngjarja ndodhi në fshatin Greshnicë në të Mallakastrës ku burime për Top Channel, bëjnë me dije se Mariglen Muhametaj vuante nga probleme të shëndetit mendor, për të cilat ishte kuruar edhe më parë. Në një konflikt me të atin në banesën ku jetonin, 37-vjeçari nuk arriti të përmbahej dhe e goditi 73-vjeçarin me sende të forta në kokë. Si pasojë e dëmeve të marra Qemal Muhametaj ndërroi jetë ndërsa autori u arratis menjëherë nga vendngjarja.

Materialet do i kalojnë Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale, për veprën penale “Vrasja, në rrethana të tjera cilësuese”.

 

Top Channel