Problemet ekzistuese në Ballkanin Perëndimor përkeqësohen si pasojë e korrupsionit, pohoi koordinatori i qeverisë amerikane për luftën kundër këtij fenomeni Richard Nephew i cili ka rikonfirmuar angazhimin e administratës së presidentit Joe Biden për ta goditur këtë dukuri anekënd globit.

Nephew, i cituar nga VOA, e vlerësoi Shqipërinë si partner të rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit, luftën ndaj të cilit e cilësoi si “interes thelbësor i sigurisë kombëtare dhe një nga përparësi e politikës së jashtme amerikane”.

“Ne do të vazhdojmë të promovojmë llogaridhënien e zyrtarëve të korruptuar përmes të gjitha programeve tona, atë të sanksioneve, kufizimeve financiare dhe të vizave nga Departamenti i Shtetit. Një nga takimet e para që kam pasur kur e kam marrë këtë pozitë ka qenë me Prokurorin Special të Shqipërisë si dhe me disa prej zyrtarëve të tij. Ishte shumë e qartë për mua, që në atë diskutim, se Shqipëria është një partner i rëndësishëm ndërsa ne kemi disa programe për ndërtimin e kapaciteteve kundër korrupsionit si dhe kemi disa aktivitete të tjera që janë duke u mbajtur me këtë vend.”- tha  Richard Nephew, koordinat i administratës SHBA

Nephew kishte një përgjigje për shqetësimet se veprimet e SHBA-së në lidhje me korrupsionin në Shqipëri janë të përqendruara më shumë tek njerëzit që nuk janë më në pushtet, ndërkohë që vetë raportet e përvitshme të Departamentit të Shtetit flasin për “korrupsionin e përhapur në të gjitha degët e qeverisë”.

“Theksi dhe vëmendja jonë është tek sfida e korrupsionit, jo kush është personi që po e shkakton korrupsionin. Besoj se do ta shihni që ne do të vazhdojmë t’i trajtojmë çështjet e korrupsionit kudo që i gjejmë ato… Nuk mendoj se kritikat janë të arsyeshme në atë drejtim, por unë prapë do e nënvizoja partneritetin tonë të vazhdueshëm dhe se ne do të vazhdojmë t’i trajtojmë të gjitha çështjet për të cilat kemi shqetësime.”- tha Nephew

Shtetet e Bashkuara u kanë ndaluar hyrjen në Shtetet e Bashkuara për shkak të korrupsionit, disa figurave në politikën e Shqipërisë, mes së cilëve edhe ish-kryeministrit Sali Berisha.

Top Channel