Jo më “zona të vdekura” për telefoninë mobile: SpaceX ujdi me T-Mobile

26/08/2022 13:18

SpaceX e Elon Musk është duke bashkëpunuar me kompaninë T-Mobile për t`i dhënë fund “zonave të vdekura të telefonisë së lëvizshme” në Shtetet e Bashkuara, duke i lidhur telefonat celularë drejtpërdrejt me satelitët Starlink të SpaceX.

Një nismë e tillë, që pritet të vihet në jetë nga viti i ardhshëm, do të reduktojë nevojën për kulla të telefonisë celulare, pohuan Musk dhe CEO i T-Mobile, Mike, në një konferencë të përbashkët për shtyp, të mbajtur në bazën e SpaceX në jug të Teksasit.

“Kjo është diçka vërtet e madhe, sepse ka të bëjnë me zgjidhjen e një ngërçi të kthyer në një gjemb në shpinën e industrisë sonë më shumë se 40-vjeçare. Ky partneritet ka një vizion që është fundi i zonave të vdekura të telefonisë së lëvizshme. Ai lidhet me imagjinatën e një të ardhmeje tjetër —  i një të ardhmeje ku nëse keni një pamje të qartë të qiellit, jeni të lidhur në telefonin tuaj celular.” tha Michael Sievert, CEO i T-Mobile

“Dëgjojmë çdo ditë raste të dikujt që është duke ecur në shëtitje dhe humb rrugën, ose vdes nga etja apo të dikujt që ka ngecur në një stuhi bore e ngrin për vdekje. Por tani, mund te telefonohet për ndihmë. Kështu që gjëja që unë mendoj se është vërtet tejet e rëndësishme në atë që po shpallim sot, është se kjo iniciativë do të shpëtojë jetë.”- tha Elon Musk, CEO i SpaceX

Sievert shtoi se pret që në masë të madhe, ky shërbim i ri të jetë pa pagesë, megjithëse mund të ketë një tarifë modeste për përdoruesit në paketat me kosto të ulët.

Top Channel