Tre gazetarë finlandezë dalin para gjyqit për akuzën e zbulimit të sekreteve shtetërore

25/08/2022 12:56

Tre gazetarë dolën në gjyq të enjten, më 25 gusht në Finlandë me akuzën e zbulimit të sekreteve të mbrojtjes kombëtare, pas botimit të dokumenteve të klasifikuara në një artikull gazete.

Artikulli i publikuar më 16 dhjetor të vitit 2017 në gazetën e përditshme “Helsingin Sanomat” u fokusua në aktivitetet e Qendrës Kërkimore të Inteligjencës Finlandeze, një agjenci e inteligjencës ushtarake. Raporti hetimor zbuloi vendndodhjen e përafërt dhe detyrat e një njësie të inteligjencës të forcave të mbrojtjes.

Gazetarët Tuomo Pietilaina dhe Laura Halmi dhe ushtruesi i detyrës së menaxherit të gazetës në atë kohë, Kalle Silfverberg, kanë mohuar akuzat.

Nëse shpallen fajtorë, ata përballen me dënime me burg deri në katër vjet, sipas televizionit publik finlandez “MTV”. Tre të pandehurit nuk ishin të pranishëm në Gjykatën e Qarkut të Helsinkit, por është planifikuar të dëshmojnë në fund të nëntorit, raportoi “MTV”.

Një artikull vijues i planifikuar nuk u botua me urdhër të kryeredaktorit pasi shkrimi i parë solli kritika, sipas “MTV”.

Të enjten, prokurori i çështjes kërkoi heqjen nga rrjeti të versionit origjinal nga faqja e internetit e gazetës, tha “MTV”.

Top Channel