Koordinatori amerikan: Në luftën kundër korrupsionit, SHBA përqendrohet tek dukuria, jo tek emrat

25/08/2022 21:22

Koordinatori i qeverisë amerikane për luftën kundër korrupsionit global, Richard Nephew rikonfirmoi angazhimin e administratës së presidentit Joe Biden në luftën kundër kësaj dukurie në gjithë botën.

Në konferencën e tij të parë për shtyp të enjten në Uashington, foli edhe për Ballkanin Perëndimor, duke thënë se problemet e tjera ekzistuese në rajon, përkeqësohen si pasojë e korrupsionit. Ai vlerësoi Shqipërinë si partner të rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit dhe tha se SHBA do ta luftojë korrupsionin kudo që ta ndeshë.

Në paraqitjen e parë para mediave në Uashington, zoti Nephew, i cili u emërua në korrik nga Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, tha se administrata e presidentit Joe Biden ka treguar qysh në vitin e parë të punës se lufta kundër korrupsionit është “interes thelbësor i sigurisë kombëtare dhe një nga përparësi e politikës së jashtme amerikane”.

“Ne do të vazhdojmë të promovojmë llogaridhënien e zyrtarëve të korruptuar përmes të gjitha programeve tona, atë të sanksioneve, kufizimeve financiare dhe të vizave nga Departamenti i Shtetit”, tha zoti Nephew.

Zoti Nephew tha se Shqipëria është një partner i rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit.

“Një nga takimet e para që kam pasur kur e kam marrë këtë pozitë ka qenë me Prokurorin Special të Shqipërisë si dhe me disa prej zyrtarëve të tij. Ishte shumë e qartë për mua, që në atë diskutim, se Shqipëria është një partner i rëndësishëm ndërsa ne kemi disa programe për ndërtimin e kapaciteteve kundër korrupsionit si dhe kemi disa aktivitete të tjera që janë duke u mbajtur me Shqipërinë”, tha i emëruari i qeverisë amerikane për luftën globale kundër korrupsionit.

Shtetet e Bashkuara u kanë ndaluar hyrjen në Shtetet e Bashkuara për shkak të korrupsionit, disa figurave në politikën e Shqipërisë, mes së cilëve ish-kryeministri Sali Berisha është emri më i njohur.

Në përgjigje të pyetjes së Zërit të Amerikës se disa herë në Shqipëri është shprehur shqetësimi se veprimet e SHBA-së në lidhje me korrupsionin në Shqipëri janë të përqendruara më shumë tek njerëzit që nuk janë më në pushtet, ndërkohë që vetë raportet e përvitshme të Departamentit të Shtetit flasin për “korrupsionin e përhapur në të gjitha degët e qeverisë”, zoti Nephew tha se kritikat për këtë nuk janë të arsyeshme.

“Theksi dhe vëmendja jonë është tek sfida e korrupsionit, jo kush është personi që po e shkakton korrupsionin. Besoj se do ta shihni që ne do të vazhdojmë t’i trajtojmë çështjet e korrupsionit kudo që i gjejmë ato… Nuk mendoj se kritikat janë të arsyeshme në atë drejtim, por unë prapë do e nënvizoja partneritetin tonë të vazhdueshëm dhe se ne do të vazhdojmë t’i trajtojmë të gjitha çështjet për të cilat kemi shqetësime”, tha zoti Nephew.

Zyrtari amerikan gjithashtu tha se qeveria e SHBA-së gjithmonë i kushton vëmendje luftës kundër korrupsionit në tërë Ballkanin perëndimor, megjithëse kohët e fundit tensionet ndër-etnike janë ato që kanë marrë vëmendjen më të madhe.

“Nuk ka asnjë Sekretar Shteti që shkon në takim me një homolog të huaj me një çështje të vetme në agjendë. Zyra ime ekziston që të sigurohemi që elementi kundër korrupsionit i politikës sonë të jashtme është i përfaqësuar në forma të ndryshme. Unë nuk besoj që një çështje merr më shumë vëmendje nga çështjet tjera. Unë do të thoja se ajo që e kemi kuptuar është se çështja e korrupsionit i bën shumë prej problemeve të tjera, edhe më keq se sa që janë”, tha zoti Nephew.

Zoti Nephew, në shtator, do niset në një tur nëpër botë duke nisur me Evropën ku do të mbajë konsultime me vendet partnere për dy javë. Ai nuk përmendi se në cilat vende do të udhëtojë.

Lufta kundër korrupsionit përparësi e administratës Biden

Vitin e kaluar, presidenti Biden mbajti takimin e parë të nivelit të lartë për demokracinë me udhëheqës botërorë, përfshirë edhe ata nga Ballkani, ndërsa një nga pesë pikat kryesore të punës ishte edhe lufta kundër korrupsionit. Takimi i dytë i këtij lloji, sipas zotit Nephew do të mbahet në pjesën e parë të vitit 2023.

Zoti Nephew tha se udhërrëfyesi i punës së tij përbëhet nga pesë shtylla kryesore, të cilat janë:

  1. Modernizimi dhe kordinimi i përpjekjeve të qeverisë amerikane kundër korrupsionit
  2. Frenimi i financave të paligjshme
  3. Mbajtja përgjegjës e atyre që përfshihen korrupsion
  4. Ruajtja dhe forcimi i arkitekturës aktuale shumëpalëshe kundër korrupsionit
  5. Përmirësimi i angazhimit diplomatik dhe përdorimi i ndihmave amerikane për të huajt si mjet për të arritur qëllimet kundër korrupsionit.

Zoti Nephew tha se qeveria amerikane është e vetëdijshme se nuk mund të priten mrekullira në luftën kundër korrupsionit, ndërsa nuk pranoi të thotë cili rajon në botë është më i korruptuari për qeverinë amerikane. Në lidhje me këtë ai tha se qeveria amerikane do e ndryshojë qasjen e saj duke mos e trajtuar korrupsionin njëjtë për një rajon të tërë, por do mundohet të kuptojë nevojat e secilit vend individualisht për ta luftuar këtë fenomen./ Zëri i Amerikës

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA