Biden mban premtimin e fushatës, u fal huatë miliona studentëve: Nga 10 mijë dollarë secilit

25/08/2022 11:17

Miliona ish studentëve universitarë në SHBA do t`u falen nga 10 mijë dollarë hua.

Me këtë lëvizje, presidenti Joe Biden plotëson kështu një premtim të bërë gjatë fushatës për Shtëpinë e Bardhë në vitin 2020.

Kjo masë është “për familjet që kanë më shumë nevojë për to – punëtorët dhe njerëzit e klasës së mesme që u goditën veçanërisht rëndë gjatë pandemisë,” u shpreh shefi i Shtëpisë së Bardhë, i cili u zotua se asnjë familje me të ardhura të larta nuk do të përfitonte, duke iu përgjigjur kështu njërës prej kritikave kryesore ndaj planit.

Biden: Gjatë fushatës time si president bëra një premtim të cilin po e vë në jetë sot. Nuk do të kërkoj falje kur ndihmoj amerikanët që punojnë dhe klasën e mesme, veçanërisht nuk do t’u kërkoj ndjesë atyre që votuan për një ulje taksash prej 2 trilion dollarësh nga e cila përfituan kryesisht amerikanët më të pasur dhe korporatat më të mëdha.

Nisma e tij mund të rrisë mbështetjen për demokratët e partisë së tij në zgjedhjet e Kongresit të nëntorit, por disa ekonomistë thonë se mund të nxisë inflacionin dhe disa republikanë ngritën pikëpyetje nëse presidenti kishte autoritetin ligjor për të anuluar borxhin.

Shumë demokratë kishin kërkuar që Biden të falte deri në 50,000 dollarë për çdo huamarrës. Konsumatorët amerikanë kanë një borxh masiv prej 1.75 trilion dollarësh në kredi studentore, rezultat i kostos së lartë të shkollimit universitar, shumë më e lartë se në shumicën e vendeve të tjera të pasura. Biden tha se vendet e tjera mund t’ia kalojnë Shteteve të Bashkuara ekonomikisht nëse studentëve nuk u ofrohet lehtësim ekonomik.

Top Channel