Rojet bregdetare italiane publikuan filmimet dramatike që tregojnë momentin e fundosjes së një jahti luksoz 40 metra të gjatë në afërsi të brigjeve në jug të fqinjit tonë përtej Adriatikut.

Jahti lundronte nga Gallipoli për në Milazzo në ishullin e Siçilisë kur papritur hasi në vështirësi dhe nisi të mbushej me ujë. Duke parë se situata nuk po menaxhohej dot, kapiteni dha alarmin e përmes një telefonate njoftoi autoritetet. E gjithë ngjarja ndodhi rreth 9 milje larg Catanzaros. Kur mbërritën rojet bregdetare, jahti ishte zhytur përgjysmë në ujë.

Anëtarët e ekuipazhit u përpoqën deri në fund që ta shpëtonin mjetin luksoz, por kjo rezultoi e pamundur. Katër pasagjerë të tij dhe një punonjës personeli u evakuuan të parët. Katër pjesëtarë ekuipazhit dhe kapiteni u larguan të fundit. Sipas medieve italiane, jahti është gëlltitur nga uji brenda një kohe të shkurtër, ndërsa operacionet për rikuperimin e tij ishin me sa duket, ishin qe ne fillim të destinuara të dështonin. Një hetim ka nisur tashmë për të zbuluar shkaqet e fundosjes së jahtit.

Top Channel