Gjendet në lumin Shkumbin arma e zjarrit me të cilën u vra Madrit Ulqinaku, momenti i arrestimit të autorit

23/08/2022 09:05

Pas shumë kërkimesh, është gjetur ditën e sotme arma me të cilën u vra më 17 gusht 33-vjeçari Madrit Ulqinaku në Elbasan.

Ndërkohë gjatë mbrëmjes së djeshme është vënë në pranga edhe autori i dyshuar i kësaj ngjarjeje dhe bashkëpunëtori i tij.

Në kuadër të këtij operacioni, si rezultat i kontrolleve të shumta të zhvilluara nga Policia e Elbasanit, si dhe i negocimeve me familjarët, u bë e mundur vënia në pranga e shtetasve H. P., 18 vjeç dhe K. S., 33 vjeç, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Elbasan ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg”, për këta shtetas, për veprat penale “Vrasja me dashje”, kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Nga tërësia e veprimeve hetimore ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se kanë vrarë, për motive të dobëta, me armë zjarri, shtetasin M. U., mbrëmjen e datës 17.08.2022.

Në cilësinë e provës materiale, Policia sekuestroi armën e zjarrit pistoletë me një krehër me 6 fishekë në të, të cilat u gjetën pas kërkimeve intensive nga ana e shërbimeve, në shtratin e lumit Shkumbin.

Madrid Ulqinaku 33 vjeç u vra në bulevardin e Elbasanit më 17 gusht pas një konflikti banal me disa adoleshentë. Viktima ishte baba i dy fëmijëve dhe para 25 vitesh (1997) i kishin vrarë vëllanë, gjatë trazirave të asaj kohe.

Top Channel