Orët e para të mëngjesit të sotëm, e kanë gjetur Shkodrën të përgjakur, ku një 51-vjeçar u vra me armë zjarri.

Ngjarja e rëndë ndodhi pas një konflikti për motive të dobëta rreth orës 03:00, në fshatin Shelqet, Vau i Dejës, ku shtetasi Alfons Palushani 37 vjeç, banues në fshatin Stajkë, Vau i Dejës, ka vrarë me armë zjarri shtetasin Agron Metushi 51 vjeç, banues në Shkodër.

Nga veprimet e shpejta dhe hetimet paraprake të kryera nga Policia, dyshohet se konflikti për motive të dobëta ka nisur në lokalin e fshatit dhe menjëherë shtetasi A.P., ka shkuar në banesë ka marrë armën e zjarrit kallashnikov dhe në momentin që shtetasi A.M. ka hipur në automjetin e tij për tu larguar shtetasi A.P. e ka qëlluar me armë zjarri.

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon punën në vendngjarje për sqarimin e plotë të rrethanave dhe dokumentimin ligjor të kësaj ngjarjeje.

Shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të autorit dhe vijon kontrolli i zonës për kapjen e tij.

 

Top Channel