Koreja e Jugut dhe SHBA nisin stërvitjet ushtarake

22/08/2022 18:58

Midis tensioneve në rritje në gadishullin Korean, forcat koreano-jugore dhe ato amerikane kanë nisur manovrat e tyre më të mëdha të përbashkëta në pesë vitet e fundit.

Një zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes të Koresë së Jugut tha se stërvitjet filluan siç ishte planifikuar të hënën. Autoriteti nuk dha asnjë informacion mbi numrin e ushtarëve të përfshirë apo pajisjet ushtarake që po përdoren në këtë manovër. SHBA ka vendosur 28.500 trupa në Korenë e Jugut si një pengesë kundër një kërcënimi të mundshëm nga Koreja e Veriut, një fuqi e vetëshpallur bërthamore.

“Mburoja e Lirisë” zgjat deri më 1 shtator

Südkorea | Militärübung

Nën emrin “Mburoja e Lirisë Ulchi”, do të kombinohen mes vete trajnimi me simulime kompjuterike, stërvitjet e përbashkëta në terren dhe një stërvitje e madhe e mbrojtjes civile në Korenë e Jugut. Stërvitja do të zgjatë deri me 1 shtator. Në Seul kanë frikë se manovra do të shkaktojë kundërpërgjigje të ashpra të Koresë së Veriut.

Manovrat kanë rifilluar me kërkesën e presidentit të ri të Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol. Kur mori detyrën në maj, ai njoftoi se do të “normalizonte” stërvitjet e përbashkëta dhe do të forconte masat parandaluese kundër Koresë së Veriut. Regjimi në Phenian akuzon rregullisht SHBA-në se po stërvitet me Korenë e Jugut dhe po përgatit një sulm të mundshëm. Uashingtoni dhe Seuli e mohojnë këtë, duke theksuar se manovrat kanë për qëllim përmirësimin e aftësive mbrojtëse.

Südkorea, Dongducheon | US - südkoreanische Militärübung

Tensionet në rajon kanë përshkallëzuar sërish këtë vit pas një sërë testesh nga Koreja e Veriut të raketave me aftësi bërthamore. Vitet e fundit, Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Jugut kanë reduktuar stërvitjet ose i kanë anuluar ato tërësisht për shkaqe diplomatike. Kur SHBA anuloi stërvitjet verore në Korenë e Jugut në vitin 2018, ajo dëshironte të krijonte mundësi më të mëdha për negociatat mbi programin e armëve bërthamore të Koresë së Veriut. Megjithatë, që nga samiti i dështuar mes SHBA-së dhe Koresë së Veriut në Vietnam në shkurt 2019, negociatat nuk kanë bërë asnjë përparim./ DW

Top Channel