Top Channel të dielën raportoi se dy rusët  dhe ukrainasi, kishin ardhur në Shqipëri për të mbledhur informacione nëse Shqipëria kishte nisur testimin e prodhimit të fishekëve 5.56 mm, që përdoren nga disa vende të NATOs për automatikë prodhim amerikan M14.

Gazetari Muhamed Veliu disponon ekskluzivisht informacione të reja, të cilat vërtetojnë se treshja  e kapur në Gramsh nuk ishin blogerë por me një mision të qartë spiunazhi e detyrë të paracaktuar për llogari të shërbimit ushtarak rus GRU apo ai të jashtëm SVR.

Nga një burim i shërbimeve inteligjent i tha gazetarit të Top Channel Muhamed Veliu se në makinën e sekuestruar është gjetur një fishek model 5.56mm.

Gjatë marrjes  në pyetje nga oficerët e antiterrorit dhe SHISH rusët e kanë mohuar posedimin në makinë të këtij fisheku.

Për momentin shërbimet inteligjente në bashkëpunim me prokurorinë e Elbasanit që po udhëheq hetimet, në  lidhje me këtë fishek të gjetur i thanë Top Channel se kanë hedhur dy hipoteza.

E para, fisheku 5.56 mm të jetë siguruar gjatë qëndrimit të tyre Shqipëri.

Pista e dytë dhe më me shumë interes për hetimin, është  sjellja e fishekut nga Rusia për të zbuluar të ngjashëm në vendin tonë.

Të tillë fishekë janë dërguar si ndihmë ushtarake Ukrainës prej vendeve të NATOs.

Prandaj për inteligjencën ushtarake ruse GRU të faktuarit se në Shqipëri, ka apo mund të prodhonte një municion i tillë ishte me tepër vlerë.

Zbulimi origjinës së plumbit gjetur në makinën e rusëve përbën një rëndësi parësore për hetimin dhe një provë tjetër se kemi të bëjmë me një rast të pastër spiunazhi” deklaroi burimi Top Channel në inteligjencën shqiptare.

Krahas sigurimit të informacionit se Shqipëria e disponon apo kishte plane ta prodhonte këtë fishek, grupi hetimit mendon se tentativa për tu futur në uzinën ushtarake të Gramshit synonte fotografimin dhe filmimin e këtij lloj municioni.

Qëllimi final për ti përdorur më pas politikisht këto filmime nga Ministria e Punëve të Jashtme ruse,  e  ngritur akuza ndaj Shqipërisë si vend-furnizimi me municion të Ukrainës.

Akuza të cilat më pas do të amplifikoheshin në Këshillin e Sigurimit nga ambasadori Rus, si kundërpërgjigje për qëndrimet e forta e kritikuese të Shqipërisë shtatë muajt e fundit në Këshill, që prej nisjes së pushtimit rus ndaj Ukrainës.

Top Channel