Aleatët në alarm: Plani rus në Ukrainë, “do të shënjestrojnë centralet bërthamore”

22/08/2022 17:24

Pa e fshehur shqetësimin e tyre, Britania, Franca, Gjermania dhe SHBA-ja theksuan nevojën për garantimin e sigurisë së centraleve bërthamore të kërcënuara nga konflikti në Ukrainë.

Moska dhe Kievi kanë akuzuar njëra-tjetrin për bombardimet e kompleksit të Zaporizhias të kontrolluar nga trupat e Moskës, duke rritur kështu frikën e një katastrofe. Presidenti Volodymyr Zelensky u bëri thirrje ukrainasve që të tregohen sa më vigjilentë përpara festimeve të Ditës së Pavarësisë.

“Rusia mund të shfrytëzojë pikërisht këtë moment për sulme veçanërisht mizore. Një nga objektivat kryesore të armikut është që të na poshtërojë, por ne duhet të jemi shumë të fortë e t’i rezistojmë çdo provokimi”, tha Zelensky.

Dita e Pavarësisë së Ukrainës të mërkurën, më 24 gusht, shënon gjithashtu edhe gjashtë muaj që kur nisjes së agresionit rus ndaj vendit fqinj. Konflikti ishte tema qendrore e një video-konference që bëri bashkë të dielën Boris Johnsonin e Mbretërisë së Bashkuar, Presidentin amerikan Joe Biden, homologun e tij francez Emmanuel Macron dhe kancelarin gjerman Olaf Scholz, të cilët kërkuan vëmendje të veçantë ndaj centralit të Zaporizhias. Komuniteti ndërkombëtar ka shprehur shqetësim të thellë për rrezikun e katastrofës në këtë impiant mes raporteve për luftime në afërsi të tij gjatë këtyre ditëve të fundit.

Top Channel