Ornitologë, biologë dhe specialistë të mbrojtjes së natyrës po përpiqen që të tërheqin vëmendjen përmes fushatave që përfshijnë publikun për faktorët që po shqetësojnë mjedisin natyror në shumë habitate unike dhe zona të mbrojtura në Jug të vendit dhe në të gjithë Shqipërinë.
Përreth liqenit të Viroit në Gjirokastër folezojnë një numër i rëndësishëm shpendësh për të cilët prioritet është gjetja e ushqimit. Ruajtja e këtij habitati duhet të jetë pjesë e prioriteteve lokale të mbrojtjes dhe shfrytëzimit për turizëm të këtyre aseteve thotë Ledi Selgjekaj biologe dhe aktiviste.
Ledi dhe aktivistë të tjerë të botës së egër po udhëtojnë nëpër disa destinacione të rëndësishme natyrore për të shfaqur një dokumentar me fokus speciet e rralla që strehon vendi ynë.
Situata e përgjithshme është stabël për disa specie si kali i qyqes tregon ornitologu Joni Vorpsi, por është e përkeqësuar për kafshë të tjera si rrëqebulli i Ballkanit dhe disa lloje shpendësh habitatet e të cilëve shqetësohen nga zjarret, shpyllëzimi gjuetia, ndotja dhe faktorë të tjerë.
Kali i qyqes për të cilin lugina e Drinos është territor folezues është i kërcënuar me zhdukje dhe e ka reduktuar popullatën e tij në Ballkan me gati 80% në 30 vitet e fundit. Ornitologët besojnë se në këtë fazë mbrojtja e të pesë territoreve të tij në Shqipëri është jetike ndërsa shpresohet edhe në shtimin me individë të rinj.
Ekipi i organizatës për Mbrojtjen dhe Konservimin e Mjedisit Natyror në Shqipëri ( PPNEA ) shpreson që të ndikojë për të rregulluar kriteret për investimet publike dhe private në zona të mbrojtura çka ka rezultuar deri tani një prej rreziqeve më të mëdha të jetës së egër në vend.
Top Channel