Emrat/ Vinin baste sportive në celularë, në pranga 2 shtetas! Ndiqet penalisht në gjendje të lirë një tjetër

21/08/2022 16:35

Dy të rinj janë arrestuar ditën e sotme në Tiranë ndërsa një tjetër po ndiqet penalisht në gjendje të lirë, pasi vinin baste në aparatet e tyre celularë.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 1 kanë organizuar kontrolle në lokale dhe ambiente të ndryshme, të cilat mund të vihen në dispozicion për organizimin e lotarive të palejuara dhe kanë goditur një rast të ushtrimit të kësaj veprimtarie të kundërligjshme.

Në Sauk, shërbimet e Policisë, kanë ushtruar kontroll në lokalin në pronësi të shtetasit P. E., të cilin e kishte përshtatur për organizimin e lotarive të palejuara. Gjatë kontrollit janë konstatuar duke vënë baste sportive, nëpërmjet aparateve të tyre celularë, shtetasit Kejsi Brahja 21 vjeç dhe Florenco Brahja, 28 vjeç, dhe shtetasi R. M., 17 vjeç.

Në vijim të veprimeve u bë arrestimi për veprën penale “Organizimi i lotarive të palejuara” i shtetasve K. B. dhe F. B., ndërsa shtetasi R. M. u procedua penalisht në gjendje të lirë.

Gjithashtu, u shpall në kërkim pronari i lokalit shtetasi P. E., për veprën penale “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra fati të palejuara”. Vijon puna për kapjen e tij.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.

 

Top Channel