Bombardimet ruse godasin një zonë të banuar pranë centralit bërthamor

21/08/2022 17:14

Të dielën, më 21 gusht, bombardimet ruse goditën një zonë banimi në rajonin jugor të Mykolaivit, duke plagosur 12 civilë, përfshirë katër fëmijë.

Një ndërtesë apartamentesh pesëkatëshe dhe shtëpi private në qytetin e Voznesenskut u dëmtuan rëndë nga bombardimet që shembën ballkone dhe shpërthyen dritaret, sipas guvernatorit rajonit të Detit të Zi, Vitaliy Kim.

Voznesensku ndodhet rreth 30 kilometra larg centralit bërthamor të Pivdennoukrainsk, i dyti më i madh në Ukrainë. Nuk ka raportime për dëmtime të centralit bërthamor.

Kompania shtetërore Energoatom, e cila menaxhon të katër gjeneratorët e energjisë bërthamore të Ukrainës, e përshkroi sulmin në Voznesensk si “një akt tjetër të terrorizmit bërthamor rus”.

“Është e mundur që kjo raketë të jetë drejtuar posaçërisht në centralin bërthamor të Pivdennoukrainsk, të cilin ushtria ruse u përpoq ta rimarrë në fillim të marsit”, bëri të ditur Energoatom në një deklaratë.

Ukraina u ka bërë thirrje Kombeve të Bashkuara dhe organizatave të tjera ndërkombëtare që të detyrojnë forcat ruse të largohen nga një tjetër central bërthamor, atë të Zaporizhyas, i cili është nën kontrollin rus pasi Rusia pushtoi Ukrainën më 24 shkurt.

Komuniteti ndërkombëtar ka shprehur shqetësim të thellë për rrezikun e katastrofës në impiantin e Zaporizhyas mes raportimeve për luftime në afërsi të centralit gjatë ditëve të fundit. Si Ukraina ashtu edhe Rusia kanë akuzuar njëra-tjetrën për bombardimin e impiantit.

Top Channel