Ministri a mbrojtjes së Turqisë bëri të ditur të shtunën se dy anije të tjera që transportonin drithë janë larguar nga porti ukrainas i Çornomorskut, duke e çuar në 27 numrin total të anijeve që janë larguar nga portet e Detit të Zi të Ukrainës, sipas një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga OKB-ja për eksportin e grurit.

Anijet “Zumrut Ana” dhe “MV Ocean S”, të cilat janë të autorizuara të nisen më 20 gusht, u ngarkuan respektivisht me 6.300 tonë vaj luledielli dhe 25.000 tonë grurë, bëri të ditur qendra e përbashkët e koordinimit e krijuar, e cila mundëson kalimin e sigurt të anijeve të eksportit nga Ukraina.

Autoriteti ukrainas i porteve detare tha të shtunën, se tre porte detare ukrainase kishin filluar të ngarkonin produkte ushqimore në shtatë anije, të cilat do të dërgonin 66.500 tonë grurë, misër dhe vaj luledielli për konsumatorët.

Eksportet e drithërave të Ukrainës u ulën ndjeshëm që nga fillimi i luftës, për shkak se portet e saj në Detin e Zi – një rrugë kryesore për dërgesat – u mbyllën, duke shkaktuar rritjen e çmimet globale të ushqimit dhe duke shkaktuar panik nga mungesat në Afrikë dhe në Lindjen e Mesme.

Në fund të korrikut, tre porte të Detit të Zi u zhbllokuan sipas një marrëveshjeje midis Moskës dhe Kievit, të ndërmjetësuar nga Kombet e Bashkuara dhe Turqia.

Autoriteti portual tha në Facebook se në portin e Çornomorskut ndodheshin të ankoruar transportuesit Andan Toplak, Filyoz dhe Maranta, ndërsa porti Odesës kishte filluar ngarkimin e anijeve Ganosaya dhe Kubrosli Y.

Autoriteti portual njoftoi se produktet ushqimore me origjinë ukrainase do të dërgohen në Francë, Sudan, Turqi dhe Holandë. Ministri i Infrastrukturës së Ukrainës, Oleksandr Kubrakov tha të premten se dhjetë anije të tjera mallrash po ngarkoheshin me grurë në portet e Detit të Zi të Ukrainës dhe po përgatiteshin për dërgesë.

Ai tha se 25 anije ishin nisur tashmë nga tre portet e Ukrainës, me 630.000 tonë produkte bujqësore në bord.

Top Channel