Mbyllja për tri ditë e gazsjellësit ‘Nord Stream 1’ nga Rusia, rrit pasiguritë energjetike në Evropë

20/08/2022 11:54

Rusia do të ndalojë furnizimet me gaz natyror në Evropë për tre ditë në fund të muajit gusht përmes tubacionit të saj kryesor në rajon Nord Stream 1.

Lajmi u bë i ditur të premten nga gjiganti shtetëror energjetik rus Gazprom, dhe rrit më tej presionin mbi shtetet evropiane të cilat kërkojnë të plotësojnë rezervat përpara dimrit.

Mirëmbajtja e paplanifikuar e gazsjellësit Nord Stream 1, i cili kalon nën Detin Baltik për në Gjermani, thellon krizën energjetike midis Moskës dhe Brukselit, që tashmë ka shkaktuar rritjen e inflacionit në rajon dhe ka rritur rrezikun e racionimit dhe recesionit.

Gazprom tha se mbyllja ishte për shkak se i vetmi kompresor i mbetur i tubacionit kërkon mirëmbajtje. Edhe flukset e gazit që kalojnë përmes rrugëve të tjera të tubacioneve kanë rënë që kur Rusia pushtoi Ukrainën në shkurt, të cilin Moska e quan një “operacion special ushtarak”.

Masa do të sjellë përçarje të mëtejshme veçanërisht për Gjermaninë, e cila varet kryesisht nga dërgesat e Rusisë për të furnizuar industrinë e saj. Bashkimi Evropian ka akuzuar Rusinë për përdorimin e energjisë si armë. Moska e ka mohuar akuzën dhe ka fajësuar sanksionet për rënien e eksporteve.

Gazsjellësi Nord Stream tashmë funksionon me vetëm një të pestën e kapacitetit të tij, duke nxitur frikën se Rusia mund të ndalojë plotësisht flukset në prag të sezonit të ngrohjes dimërore dhe ta bëjë më të vështirë mbushjen e objekteve të magazinimit.Përpara se Gazprom të shpallte mbylljen, çmimet e gazit në Evropë mbetën afër niveleve më të larta të pesë muajve, ndërsa çmimet e gazit në SHBA ndryshuan kursin dhe u rritën me 1.2% pas lajmit.

Më herët, politikanë të lartë gjermanë hodhën poshtë sugjerimet se mungesa e gazit mund të evitohet duke lejuar që gazsjellësi i pezulluar Nord Stream 2 të hyjë në shërbim, diçka që Kremlini e ka sugjeruar si zgjidhje.

“Unë këshilloj fuqimisht që të kursejmë poshtërimin e të kërkuarit (presidentit rus Vladimir) Putin për diçka që nuk do ta marrim,” tha Kevin Kuehnert, zyrtari numër dy në partinë socialdemokrate të kancelarit Olaf Scholz.

Top Channel