Vrasje në Elbasan dhe Sarandë/ Kamerieri vret klientin për parkimin. Në Elbasan, vrasja pas sherrit për përplasjen me bërryla

18/08/2022 15:09

Motivet banale prodhojnë sërish ngjarje kriminale e marrin jetë. Mbrëmjen e së mërkurës vendi u trondit nga dy vrasje për motive të dobëta.

E para u shënua në Sarandë ku humbi jetën një 41-vjeçar pas një konflikti për një vend parkimi dhe tjetra ndodhi në Elbasan pas një konflikti me një grup të rinjsh humbi jetën një 33-vjeçar.

Në lagjen nr 1 në Sarandë 41-vjeçari Klodian Bakia tentoi të parkonte makinën e tij në rrugën përballë një hoteli kur është konfliktuar fizikisht me 18-vjeçarin Xhoi Tarja nga Laçi i cili ishte punëtor sezonal në këtë qytet.

Në ndihmë të 18-vjeçari erdhi vëllai i tij Xhanelio Tarja i cili e qëlloi 41-vjeçarin disa herë me thikë duke e lënë të plagosur rëndë.

Disa minuta më vonë ai ndërroi jetë në spitalin e Sarandës. Dy vëllezërit u fshehën në një bodrum pranë vendit të ngjarjes ku u gjetën nga policia dhe u arrestuan.

Në pranga ra edhe pronari i hotelit Genci Ahmeti i cili kreu veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës.

Kur ende nuk ishte shuar zhurma e ngjarjes së Sarandës Në lagjen Kongresi në Elbasan u vra me armë zjarri 33-vjeçari Madrit Ulqinaku, baba i 2 fëmijëve.

I riu ishte në një lokal kur është konfliktuar me një grup djemsh me të cilët u konfliktua fizikisht. Më pas 18-vjeçari Horgito Peqini dyshohet se është larguar dhe pasi ka marrë një armë zjarri pistoletë është rikthyer dhe i ka marrë jetën Madrit Ulqinalut.

Policia e shpalli në kërkim autorin po ashtu edhe 33-vjeçarin Klaudion Sallufi i cili dyshohet se ka bashkëpunuar me autorin.

Ndërsa një tjetër 18 vjeçar që dyshohet se ishte pjesë e sherrit Eiden Dima u vu në pranga. Gjatë kontrollit policia i gjeti një thikë dhe një përforcues grushti metalik.

Top Channel