Tensionet Kosovë-Serbi, nis takimi trepalësh Borrell, Kurti dhe Vuçiç

18/08/2022 12:00

Në Bruksel ka nisur takimi i tretë i përbashkët midis kryeministrit të  Kosovës,  presidentit të Serbisë dhe ndërmjetësuesve të Bashkimit Evropian.

Fillimisht ka pasur takime dypalëshe midis përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borrell dhe liderëve.

Takimi midis Kurtit dhe Borrellit është mbajtur nga ora 09:30, ndërkaq në 10:00 shefi i diplomacisë evropiane është takuar me Vuçiçin.

Pas takimeve dypalëshe, Borrell tha se është koha që Kosova dhe Serbia të lëvizin drejt normalizimit të plotë të raporteve.

“Tensionet e fundit në veri të Kosovës kanë dëshmuar sërish se është koha të lëvizim drejt normalizimit të plotë. Pres që të dy liderët të jenë fleksibil dhe të gjejnë gjuhë të përbashkët”, shkroi Borrell në Twitter.

Presidenti serb Vuçiç ka thënë se ka shpresë se do të arrihet ndonjë zgjidhje, por mebete “skeptik”.

Pas këtij takimit trepalësh, mund të ketë përsëri takime dypalëshe, sipas nevojës.

Në faqen zyrtare të Bashkimit Evropian më herët është bërë e ditur se takimi trepalësh do të fokusohet në rrugën përpara në dialog dhe arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Më 17 gusht, Kurti dhe Vuçiç kanë zhvilluar takime ndarazi me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg dhe më vonë me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, si dhe të dërguarin e Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Top Channel