Takim i ftohtë Kurti-Vuçiç, diskutim me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian

18/08/2022 12:55

Raundi i parë i takimit mes Kurti-t dhe Vuçiç-it në Bruksel nisi dhe përfundoi, pa një shtrëngim duarsh, teksa mungoi edhe një kontakt sy më sy mes kryeministrit të Kosovës dhe presidentit serb, edhe pse të dy ishin ulur përballë njëri tjetrit.

Takimi u ndërmjetësua nga Bashkimi Evropian, por ende shumë pak dihet se çfarë është folur pas dyerve të mbyllura.

Megjithatë gjatë ditës do të ketë sërish takime dypalëshe midis liderëve të Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësuesit e BE-së, me qëllim që liderët të  sërish sëbashku në tryezë .

Në ndërtesën e BE-së ku po zhvillohet dialogu ka arritur edhe i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Pala amerikane nuk merr pjesë në dialog, por SHBA-ja mbështet plotësisht përpjekjet e BE-së në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

Ndërkaq, përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, më herët gjatë ditës, pasi takoi veçmas Kurti-n dhe Vuçiç-in, tha se është koha që Kosova dhe Serbia të lëvizin drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve.

Kurti dhe Vuçiç janë takuar dy herë vitin e kaluar, por pa ndonjë rezultat konkret. Takimin e së enjtes e ka kërkuar kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës, më 31 korrik.

Ndërkohë një ditë më parë Kurti dhe Vuçiç u takuan veçmas me Shefin e NATO-s, Jens Stoltenberg.

Ky i fundit tha se i takon Beogradit dhe Prishtinës që të shmangin përshkallëzimin e situatës, duke shtuar se misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, është duke vëzhguar situatën dhe është i gatshëm të intervenojë në rast të destabilizimit.

Top Channel