Kinë: 16 të vdekur dhe 36 të zhdukur nga përmbytjet

18/08/2022 14:08

16 njerëz kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë janë zhdukur nga përmbytjet në veriperëndim të Kinës,  të shkaktuar nga reshjet e papritura, të cilat sollën rrëshqitjen e dheut dhe ndryshimin e rrjedhës së një lumi.

Përmbytjet ndodhën në një rajon malor të qarkut Datong, kanë prekur më shumë se 6.200 njerëz nga gjashtë fshatra,

“Që nga mesdita e datës 18 gusht, 16 persona janë vrarë dhe 36 janë të zhdukur”, njoftoi transmetuesi shtetëror CCTV.

Këto përmbytje vijnë gjatë një vere shumë të nxehtë në Kinë, ku qytete të shumta regjistrojnë temperaturat e tyre më të larta.

Përmbytjet e mëdha në Kinën jugore në qershor zhvendosën më shumë se gjysmë milioni njerëz dhe shkaktuan rreth 250 milionë dollarë dëme.

Ndërkohë, miliona njerëz në Kinën jugperëndimore po përballen me ndërprerje të vazhdueshme të energjisë elektrike, pasi një valë dërrmuese e të nxehtit çoi në një krizë të furnizimit me energji që i ka detyruar fabrikat të ndalojnë punën.

Top Channel