Britania e paralizuar nga grevat/ Për katër ditë rresht linjat hekurudhore do funksionojnë vetëm 20%

18/08/2022 15:37

Po të mos kisha makinë sot unë dhe miliona britanikë nuk do mund të shkonim nëpër punëra apo angazhime të tjera profesionale, pasi trenat ndërqytetas dhe sipërfaqësorë në metropol dhe mbarë vendin janë në greve.

Madje edhe autostradat duken më bosh, pasi kostoja e karburantit dhe tarifat kundër ndotjes për të hyrë në qendër të Londrës janë tejet të larta.

Nga sot Britanisë damarët e saj të transportit do i funksionojnë me 20 përqind të kapacitetit, ku 45 mije grevistet kërkojnë përmirësim të pagave, dhe kushteve të punës, në kohën e krizës së rëndë ekonomike dhe inflacionit galopant, më të lartit në Britani në 40 vitet e fundit që një ditë më parë arriti në nivelin e 10 përqindëshit, ndërkohë që pritet të shkojë në 13 përqind në tetor.

Dy vjet më parë, thuajse 40 përqind e udhëtimeve me trena në Angli kishin të bënin me udhëtimet për në vendet e punës dhe pak më shumë se një e treta për turizëm dhe argëtim, sakaq një vit më parë, kur nuk kishte filluar pandemia thuajse gjysma e tyre ishte për arsye pune dhe biznesi.

Qeveria “pa adrese” e Boris Johnson, i cili vazhdon pushimet në Greqi, fajëson sindikata dhe opozitën, ndërkohë laburistët nuk pranojnë të bashkohen me grevistët, me përjashtim të ish-udhëheqësit të tyre Xheremi Korbin, një ultra majtisti, i cili humbi në mënyrë spektakolare në zgjedhjet e fundit ndaj Boris Johnson.

Greva e transportit publik padyshim do ndikojë në ekonominë në krizë në Britani, por efekti imediat do jetë në çrregullimet dhe rutinën e përditshme të miliona britanikëve, mes tyre edhe shumë shqiptarëve që mund të largohen me pushime katër ditët e ardhshme apo mbërrijnë nga pushimet nëpër aeroporte të ndryshme dhe përgjithësisht përdorin trenat për të shkuar nëpër shtëpitë e tyre, sidomos nëse udhëtojnë herët në mëngjes, në orët e pasdites dhe mbrëmjeve vonë, siç ndodh në shumicën e tyre.

Top Channel