Stefan Xhori, violinisti i njohur nga Gjirokastra riktheu tinguj nostalgjikë të violinës në kalanë e qytetit pas rreth 30 vitesh emigracioni.

Sfetani, djali i violinistit të njohur Polo Xhori interpretoi me emocion dhe mall për vendlindjen, me peshën e kujtimeve të fëmijërisë dhe rinisë së hershme.

Ai ishte pjesë e eventit të radhës së Gjiro-Classica, një radhë eventesh të muzikës lirike dhe klasike që synojnë edukimin e publikut me këtë lloj muzike por edhe rrjetëzimin e monumenteve simbol si kalaja e Gjirokastrës

Stefani jeton dhe punon në SHBA si muzikant në orkestrën e Delaware dhe si profesor i muzikës në disa shkolla arti.

Ai ka ngritur atje një karrierë të suksesshme por beson se kontributet për vendlindjen prej artistëve të larguar duhet të zënë një pjesë të eventeve të verës në Gjirokastër.

Stefani luajti në violinë edhe një pjesë amanet prej të atit krah artistëve lokalë dhe nxënësve të shkollës muzikore, mjedisit ku ai nisi mësimet në muzikë.

Muzika klasike është një aspekt i munguar i jetës publike megjithëse Gjirokastra ka një traditë të hershme të shkollave të artit.

E ndarë në disa edicione këtë vit Gjiro-Classica është eventi më i madh i këtij lloji ndër vite si dhe një ngjyrim i ri i jetës së mbrëmjes në fundjavë.

Top Channel