Reali e nis mbarë La Ligan/ Mundi Almerian, fiton dhe Valencia e Gattusos

15/08/2022 12:38

Reali i Madridit e nisi me këmbë të mbarë sezonin e ri në kampionatin spanjoll të futbollit. skuadra madrilene, triumfuese në Superkupën e Evropës mundi Almerian e sapo ngjitur në elitën e futbollit iberik me rezultatin 2-1.

Por fillimi ishte perfekt për Almerian  që gjeti golin e avantazhit që në minutën e 6 me anë të Ramazanit. Pas këtij goli Los Blancos u hodhën në sulm në gjetjen e golit të barazimit, por portieri Fernando Martinez dhe shtylla nuk lejuan kampionët e Spanjës dhe të Evropës të gjenin rrugën e rrjetës. Goli i barazimit mëse të merituar për Realin e Madridit erdhi në minutën e 61 me Lucas Vazquez që shënoi pas një rrëmuje të krijuar në zonë pas pritjes së radhës të kryer nga Martinez. Reali e rriti akoma më shumë ritmin në lojë dhe 15 minuta nga fundi i sfidës, Alaba me një perlë nga një goditje dënimi i dha fitoren 2-1 Realit të Madridit që mori 3 pikët e para në sezonin e ri të La Ligas.

Me fitore e nisi sezonin edhe Valencia e Gennaro Gattusos që mundi Gironën me rezultatin 1-0 edhe pse e mbylli ndeshjen me 10 futbollistë pas ndëshkimit me karton të kuq të Comert. Momenti që vendosi fatin e kësaj sfide ishte minuta e 45 kur Carlos Soler me anë të një 11 metërshi shënoi golin e fitores për Valencian. Në ndeshjen tjetër të javës së parë të La Ligas, Real Sociedad mundi Cadizin 1-0 me ggolin e shënuar nga Kubo në minutën e 24

Top Channel