Irani mohon kategorikisht lidhjen me sulmin ndaj Salman Rushdie: Fajtor është vetë ai

15/08/2022 14:05

Irani ka mohuar “kategorikisht” çdo lidhje me sulmuesin e Salman Rushdie, për të cilin ka fajësuar vetë shkrimtarin.

Rushdie u hoq nga ventilatori më 14 gusht dhe ishte në gjendje të flasë pasi ka pësuar lëndime të rënda me thikë. Ai u sulmua teksa po fliste në një panel për lirinë e shprehjes në Institutin Shatakua.

Fillimisht, Teherani ka heshtur për sulmin, por sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, dënoi mediat shtetërore iraniane për reagimin e tyre.

“Institucionet shtetërore iraniane, për gjenerata të tëra kanë nxitur dhunë ndaj Rushdie, dhe mediat e lidhura me shtetin së fundmi i janë gëzuar sulmit ndaj jetës së tij. Kjo është e neveritshme”, tha Blinken përmes një deklarate të publikuar në orët e vona të 14 gushtit.

Sulmuesi që po akuzohet për sulmin ndaj autorit të romanit kundërthënës “Vargjet Satanike”, është deklaruar i pafajshëm për veprat: tentim-vrasje dhe sulm. Por, prokurorët thanë se ky ka qenë një krim i planifikuar.

Avokati i sulmuesit, Hadi Matar, tha se klienti i tij deklarohet i pafajshëm. Një gjykatës ka urdhëruar që ai të mbahet në paraburgim, pa mundësi të lirimit me kusht.

Rushdie, 75 vjeç, në sulm ka pësuar dëme në mëlçi dhe i janë dëmtuar disa nerva në krah dhe sy. Ai ka të ngjarë që të humbë shikimin në syrin e lënduar.

Top Channel