Të paktën tetë persona janë plagosur pasi një person i armatosur hapi zjarr në një autobus pranë Murit Perëndimor në qytetin e vjetër të Jerusalemit, thonë autoritetet izraelite.

I dyshuari hapi zjarr teksa pelegrinët po ktheheshin nga lutjet në vendin e shenjtë. Dy persona, mes tyre një grua shtatzënë, janë në gjendje kritike për jetën.

Policia izraelite tha se kishte arrestuar një të dyshuar për sulmin me armë zjarri. “Terroristi është në duart tona,” tha zëdhënësi i policisë Kan Eli Levy për radion publike disa orë pas sulmit që ndodhi jo shumë larg Murit Perëndimor, vendi më i shenjtë i lutjes për hebrenjtë. Autori thuhet të jetë një palestinez,  banor i Jeruzalemit Lindor.

Shoferi, Daniel Kanievsky, u tha mediave lokale autobusi i tij ishte plot me njerëz në momentin e të shtënave. “Ne hapëm rampën për dikë në një karrige me rrota dhe më pas filluan të shtënat. Të gjithë zbritën në dysheme, duke bërtitur. Unë u përpoqa të ikja, por autobusi nuk mundi të lëvizte me rampën e hapur,” tha ai.

Gruaja shtatzënë e qëlluar me plumb në stomak bëri një operacion urgjent cezarian, me foshnjën që raportohet të  jetë në një gjendje të rëndë, por të qëndrueshme. Një burrë i plagosur në kokë dhe qafë mbetet gjithashtu në gjendje kritike.

Në një deklaratë, kryeministri izraelit Yair Lapid u zotua se kushdo i përfshirë në sulm do të “paguajë një çmim për çdo dëm ndaj civilëve tanë”.

Të shtënat erdhën një javë pas përfundimit të një konflikti tre-ditor midis Izraelit dhe militantëve të Xhihadit Islamik në zonën e dendur me popullsi palestineze të Gazës.

Të paktën 49 palestinezë, duke përfshirë luftëtarë të Xhihadit Islamik dhe një numër fëmijësh, vdiqën në dhunën që përfundoi të dielën e kaluar pasi Egjipti negocioi një armëpushim. Që nga marsi, 19 persona — kryesisht civilë izraelitë brenda Izraelit — janë vrarë në sulme të ndryshme, kryesisht nga palestinezët. Më pas filloi edhe kundërsulmi izraelit.

Top Channel