Përpara takimit  të dy liderëve Kurti – Vuçiç më 18 gusht, Bashkimi Europian ka lëshuar një deklaratë me paralajmërime të qarta.

Të dy liderët do mbahen përgjegjës për çdo retorikë që mund të nxisë dhunë, sipas zëdhënësit të BE, Peter Stano.

 “Rritja e retorikës nxitëse kohëve të fundit nga ana e zyrtarëve të Kosovës dhe Serbisë, në veçanti deklaratat rreth luftës dhe konfliktit në Ballkanin Perëndimorë paraqesin shqetësim të madh. Politikanët e lartë nga të dyja palët do të mbahen përgjegjës për çfarëdo përshkallëzimi që mund të qoj deri tek ndonjë rritje të tensioneve dhe potencialisht në dhunë në rajon”- tha Peter Stano

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, se në komunat veriore të Kosovës, më 31 korrik, pati rrezik për përshkallëzim të situatës në konflikt të armatosur, “për shkak të frikës së injektuar nga Beogradi dhe për shkak të planeve të bëra në Rashkë dhe në Beograd”.

Presidenti i Serbisë, Akeksandër Vuçiç tha se ka informacione për plane se në veri të Kosovës po përgatitet “zhdukja e popullit tonë”, duke iu referuar popullsisë serbe që jeton në Kosovë.

BE-ja thotë se të gjitha çështjet e hapura mes dy vendeve duhet të adresohen përmes dialogut në takimin e radhës të nivelit të lartë, të ftuar nga Përfaqësuesi i Lartë, Josep Borrell.

Ndërsa shton më tej se arritja e një marrëveshje kërkon një klimë e cila do t’i kontribuonte kontribuonte kthimit të besimit, pajtimit dhe raporteve të mira. BE-ja thotë se bashkë me EULEX-in në Kosovë, është në koordinim të afërt me KFOR-in dhe partnerët ndërkombëtarë, në veçanti Shtetet Bashkuara të Amerikës.

Më 17 gusht, Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg do të mbajë takime të ndara në Bruksel me kryeministrin kosovar, Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiç.

 

Top Channel