Tragjike në SHBA, aeroplani rrëzohet menjëherë pas nisjes, humbin jetën 11 parashutistët dhe piloti
Qeveria suedeze vendosi të ekstradojë për në Turqi një person të dënuar aty për mashtrime bankare.
Ky është rasti i parë pas kërkesës së Ankarasë për ekstradimin e një numri personash në këmbim të heqjes dorë nga vetoja kundër anëtarësimit të Suedisë në NATO. Si pjesë e marrëveshjes për anëtarësimin e Suedisë në NATO Turqia paraqiti një listë personash me kërkesën që Stokholmi t’i ekstradojë ata për në Turqi.
Ky gjest i Stokholmit në drejtim të Turqisë synon me sa duket të zbusë rezervat e Ankarasë për anëtarësimin e Suedisë në NATO. Megjithatë ka dyshime, nëse ai është i mjaftueshëm, sepse Ankaraja është ankuar se Suedia nuk po ndërmerr hapa të mjaftueshme për ekstradimet.
Veprim rutinë
“Kjo është një çështje normale, një veprim rutinë. Bëhet fjalë për një shtetas turk i cili është dënuar në Turqi në 2013 dhe 2016 për mashtrim” tha ministri suedez i Drejtësisë Morgan Johansson. “Gjykata e Lartë e ka shqyrtuar si zakonisht çështjen dhe ka konstatuar se nuk ka pengesa për ekstradimin e tij.”
Sipas njoftimeve të radio-televizionit suedez SVT personi në fjalë ishte dënuar nga një gjykatë turke me 14 vjet heqje lirire për abuzime bankare dhe mashtrime me karta krediti. Personi në fjalë e mohon krimin dhe thotë se është dënuar për shkak se është konvertuar nga feja e tij në fenë e krishterë dhe se ka refuzuar shërbimin ushtarak.
Anëtarja e NATO-s, Turqia hoqi dorë nga vetoja e saj ndaj kërkesës së Finlandës dhe të Suedisë për t’u bashkuar me aleancën ushtarake perëndimore vetëm në qershor pas disa javësh negociatash të tensionuara. Kreu i shtetit Rexhep Tajip Erdogan i akuzonte dy vendet nordike se strehojnë luftëtarë të Partisë së ndaluar të Punëtorëve të Kurdistanit (PKK)./ Deutsche Welle
Top Channel