Si kisha në Bosnje ndihmon për të kapërcyer ndarjet e thella në komunitet 

12/08/2022 13:28

Dekada pasi luftimet e përgjakshme mes katolikëve dhe myslimanëve shpërbënë Bugojnon e Bosnjës, një kishë e re ka ofruar një mundësi të rrallë për të kapërcyer ndarjet mes palëve në vendin ballkanik.

Ende në ndërtim e sipër, kisha në qytetin qendror të Bosnjës po ndërtohet në tokën e dhuruar nga Husejn Smajiç, një banor mysliman 68-vjeçar, pasi ai zbuloi themelin e një kishe mesjetare në pronën e tij.

“E bëra gjithë këtë që njerëzit të shohin se ne mund të jetojmë mirë së bashku. Ku ka më mirë se të jesh në një vend ku ka disa komunitete, kjo është pasuria dhe bukuria e vërtetë. Kjo është pikërisht ajo që do të ndodhë në këtë luginë. Mesazhet e paqes, dashurisë dhe respektit për të gjithë popujt do të rrjedhin nga këtu”, tha Smajiç.

“Është vërtet një gjest i madh paqeje dhe respekti për të gjithë të tjerët. Dhe për ne katolikët kroatë është një vlerë e pashembullt”, tha Ruzica Brnada.

“Po të ishim të gjithë si ai, nëse të gjithë do të kishim këtë dashuri për njëri-tjetrin, nuk do të shkonte njeri në Gjermania, Austria, Zvicër, ne do ta bënim Zvicrën këtu“, tha Mihovil Klisanin.

Mes shpërbërjes së përgjakshme të Jugosllavisë, Bosnja shpërtheu në një luftë të egër civile që vuri përballë njëri-tjetrit serbët ortodoksë, kroatët katolikë dhe myslimanët boshnjakë një konflikt që vrau rreth 100,000 njerëz.

Bugojno u godit rëndë gjatë luftës , pasi pati spastrimi etnik, shpërngulje masive dhe mizori të  kryera nga të gjitha palët.

Shumica e kroatëve katolikë të qytetit, të cilët përbënin më shumë se një të tretën e 47,000 banorëve të Bugojnos, u dëbuan nga forcat myslimane boshnjake.

Top Channel