Ekskluzive/ Nga vështirësitë në adoleshencë te planet e investimit në turizëm, Samir Mane hap dyert për ‘Pushime On Top’

12/08/2022 10:11

Samir Mane, sipërmarrës i suksesshëm dhe një ndër njerëzit më të pasur në vend, vjen në një rrëfim ndryshe në ‘Pushime on Top’ në Top Channel.

Nga jeta aspak e lehtë në fëmijëri apo adoleshenca e vështirë, Samir Mane ka rrëfyer ekskluzivisht për ‘Pushime on Top’, copëza kujtimesh nga jeta e tij, marrëdhënia sot me familjen si edhe planet e së ardhmes.

Ku e ka mësuar notin dhe si ishin pushimet në komunizëm, flet Samir Mane

Samir Mane, sipërmarrësi më i suksesshëm shqiptar brenda dhe jashtë kufijve të vendit, ka dhënë një intervistë ekskluzive për Oriela Nebijaj në televizionin Top Channel.

Ai ka treguar në emisionin Pushime On Top ku do i kalojë pushimet këtë vit dhe si i ka kaluar pushimet para viteve ’90. Gjithashtu ai ka treguar mbi projektet e tij për zhvillimin e turizmit në Shqipëri.

Oriela Nebijaj:  Palasa ka marrë një tjetër dimension dhe padyshim investime të tilla i bëjnë mirë vendit tonë. Si e sheh sot pas disa vitesh tashmë turizmin shqiptar dhe a mendon se e ka Shqipëria shansin dhe potencialin për të patur një industri të zhvilluar në turizëm?

Samir Mane: Unë besoj që Shqipëria e ka, ose besoj shumë që Shqipëria e ka të vetmen mundësi për zhvillimin ekonomik turizmin. Këtu para 4 vitesh nuk ishte asgjë tani ka goxha zhvillime. Nuk është puna e vilave dhe apartamenteve që janë me qira, por është ekonomia që ka ndërtuar në përgjithësi në këtë zonë. Bëhet fjalë që këtu punojnë rreth 2 mijë njerëz tani, krijohet një ekonomi shumë e madhe që do kalojë qindra miliona dollarë.

Oriela Nebijaj:  Duket sikur për turizmin ke një dashuri të veçantë, çfarë të lidh ngushtësisht?

Samir Mane: Në fakt është një dashuri e vonuar, mund të kisha filluar më parë me turizmin. Kam ndërtuar fasilitete turistike në veri të Shqipërisë, ose në Shqipërinë e mesme, në Gjirin e Lalzit. Më pas kam dalë në jug, besoj turizmi është një nga industritë që do të jetë shumë e rëndësishme ndaj jam fokusuar tashmë te turizmi  ku planifikojmë që në 4-5 vitet e ardhshme të investojmë diku te 400 mln euro.

Oriela Nebijaj:  Keni patur gjithmonë një vëmendje për të mbështetur projekte sociale, për të mbështetur qendrën e emergjencës, të rinjtë, turizmin, pse kjo dëshirë?

Samir Mane: Kjo është një pjesë e punës dhe një pjesë e fokusit tonë. Kemi bërë dhe do vijojmë të bëjmë edhe në këtë zonë investime sociale, një pjesë tjetër do të jetë shkolla e Dhërmiut dhe shkolla e Himarës.

Oriela Nebijaj: Gjithmonë e keni mbështetur edukimin. Pse ky fokus të edukimi?

Samir Mane: Unë mendoj që nëse duam të ndërtojmë një të ardhme më të mirë nga e sotmja kjo mund të bëhet vetëm duke përmirësuar edukimin e fëmijëve dhe të rinjve. Prandaj edhe kemi ndërtuar programe kushtuar edukimit dhe sidomos mbështetjes së studentëve. Nëpërmjet B4Students ne mbështesim studentë që kanë ide sipërmarrëse, ata që kanë ambicie të mësojnë më shumë rreth biznesit, ata që duan të bëjnë praktikë në kompanitë e Grupit si edhe fakultetet publike në përmirësimin e infrastrukturës.

Oriela Nebijaj: E mbani mend veten në gjimnaz?

Samir Mane: E mbaj patjetër, po.

Oriela Nebijaj: Besoj një kohë tjetër ajo? Me shumë mungesa dhe pak mundësi

Samir Mane: Sigurisht në atë kohë nuk kisha mundësi të shkoja në Himarë ose në Durrës, por padyshim ishte liqeni I Pogradecit të cilin shpesh herë, duhet ta bëja me këmbë nga Korça deri në Pogradec. Në fakt Korçë-Maliq me autobus dhe pastaj Maliq – Pogradec në këmbë për të shkuar 2-3 në liqenin e Pogradecit.

Oriela Nebijaj:  E mban mend ku e ke mësuar notin për herë të parë?

Samir Mane: Notin besoj e kam mësuar në Pogradec rreth moshës 8 vjeç.

Oriela Nebijaj: Po sot, cilat janë plazhet që preferon më së shumti vetë Samiri?

Samir Mane: Padyshim që plazhi i Palasës është njëshi dhe dyshi për mua. Jo se unë vetë kam investuar aty dhe nuk është për reklamë, por është një plazh unik në raport me detin, ujin, malin. Çdo komponent pozitiv që mund të ketë një plazh është në Palasë. Dhërmiu më pëlqen gjithashtu, sidomos fundi i Dhërmiut edhe Ksamili.

Oriela Nebijaj: I mban mend pushimet e tua më të lira? Ato me bukë me vete.

Samir Mane: Më të lira padyshim kanë qenë në Durrës, në kohën e komunizmit. Me bukë me vete dhe me të gjitha ato pak facilitete që kishte në atë kohë. Po kënaqësia ishte gjithashtu e madhe.

Oriela Nebijaj: Pushimet e kësaj vere nga do t’i kaloni?

Samir Mane: Besoj që pjesën më të madhe të kohës do t’i kaloj këtu. Ndoshta pak kohë do të shkoj në Itali me familjen, por pjesën më të madhe të kohës do t’i kaloj këtu, në Shqipëri. Kemi planifikuar disa ditë udhëtimi edhe në veri po kryesisht në jugun e Shqipërisë.

Oriela Nebijaj: Tani që djemtë janë rritur, a vijnë më me pushime me ju?

Samir Mane: Me detyrim e kanë që të vijnë të paktën një javë me pushime me ne. Pjesën tjetër mund të zgjedhin vetë.

Oriela Nebijaj: Cili është meraku më i madh që ke për ta sot, pas gjithë peripecive që ke kaluar për të arritur këtu ku je. Cila është këshilla më e shpeshtë që u jep?

Samir Mane: Unë shpresoj që ata të zgjedhin rrugën e vet, jo domosdoshmërish duhet të më ndjekin mua në rrugën time. Për momentin ata studiojnë jashtë, kështu që shpresoj që një ditë të kthehen këtu dhe të punojnë, jo patjetër siç e thashë për të punuar me mua, po në rrugën e tyre.

Top Channel