Departamenti i Drejtësisë do publikimin e urdhrit të bastisjes në MaraLago, reagon Trump

12/08/2022 13:07

Ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se nuk do të kundërshtojë zbardhjen  e urdhrit që lejoi agjentët e FBI-së të kontrollojnë shtëpinë e tij në Mar-a-Lago në fillim të kësaj jave.

Trump tha se ai inkurajonte bërjen publik të urdhrit, por përsëriti pretendimin e tij se kërkimi ishte i panevojshëm dhe i motivuar politikisht.

Një ditë më parë Departamenti Amerikan i Drejtësisë i ka bërë një kërkesë të rrallë një gjykate të Floridës për të bërë publik urdhrin.

Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland teksa njoftoi vendimin,  tha të enjten se ai  “aprovoi personalisht” kontrollin e shtëpisë së Donald Trump në Florida

“Departamenti nuk e merr lehtë një vendim të tillë. Pjesa më e madhe e punës sonë kryhet jashtë syrit të publikut. Ne e bëjmë këtë për të mbrojtur të drejtat kushtetuese të të gjithë amerikanëve dhe për të mbrojtur integritetin e hetimeve tona. Ligji federal, rregullat e departamentit dhe detyrimet tona etike më pengojnë të jap detaje të mëtejshme në këtë kohë, në lidhje me arsyen e kontrollit”, tha Garland.

Ndërsa departamenti i drejtësisë nuk e ka bërë ende publike arsyen e kontrollit të së hënës në shtëpinë e zotit Trump në Florida, Washington Post raporton se dokumentet  që po kërkonte FBI, kishin lidhje me informacione të klasifikuara mbi armët bërthamore. Por Burimet anonime nuk i thanë WP, nëse informacioni përfshinte armë amerikane apo të ndonjë vendi  tjetër.

Kontrolli i së hënës ishte hera e parë në historinë amerikane që shtëpia e një ish-presidenti kontrollohej si pjesë e një hetimi penal.

Trump dhe republikanë të tjerë e kanë dënuar masën si të motivuar politikisht.

Top Channel