Zjarret përfshijnë Francën dhe Portugalinë, me mijëra të evakuuar

11/08/2022 13:17

Flakët e mëdha të zjarreve vazhdojnë ende të djegin pjesë të Francës dhe Portugalisë në Evropë.

Mijëra njerëz u evakuuan nga shtëpitë e tyre në Francën jugperëndimore të mërkurën, në një rajon të njohur për pyjet e tij me pisha që u shkatërrua nga flakët vetëm muajin e kaluar.

Zjarri pranë qytetit të Bordeaux solli evakuimin e rreth 6,000 njerëzve dhe shkatërroi të paktën gjashtëmbëdhjetë shtëpi. Një autostradë kryesore u mbyll pasditen e së mërkurës për shkak të afërsisë së zjarrit.

Po ashtu më shumë se 60 kilometra katrorë janë djegur në rajonin Gironde dhe Landes ndërsa kontinenti zhytet në një verë të nxehtë dhe të thatë.

Në një situatë po kaq të vështirë është dhe Portugalia. Një zjarr i madh  ka shpërthyer në parkun natyror Serra da Estrela, i mbrojtur nga Unesco.

Më shumë se një mijë zjarrfikës u mobilizuan të mërkurën në përpjekje për të kontrolluar zjarrin që ka shkatërruar rajonin prej disa ditësh, por situata ende nuk po përmirësohet.

“Nuk kam parë kurrë diçka të tillë. Është një fatkeqësi, më thyen zemrën kjo pamje. Gjithçkaështë djegur, gjithçkaështë e rrënuar,nuk ka mbetur asgjë jeshile. Do të duhen shume vite për tu rigjeneruar sërish parku”, tha një banor.

“Jemi të gjithë në shok. Jemi të shokuar nga kjo situatë. Nuk na ka mbetur asgjë, nuk ka më pisha, disa njerëz kanë humbur shtëpitë ose hambarët me pajisjet ose kafshët e tyre. Ky zjarr ishte fatkeqësi për të gjithë”, tha Margarida Cruto, banore.

Zjarret që përfshinë këtë vit Evropën u ndihmuan shumë nga temperaturat e larta shkencëtarët kanë paralajmëruar se valët e të nxehtit do të bëhen më të shpeshta dhe do të zgjasin më shumë.

Top Channel