“Pikturat janë të mallkuara”, mashtrimi spektakolar i të resë për të zhvatur të ëmën

11/08/2022 14:35

Një grua në Brazil është arrestuar me dyshimin se ka ushtruar presion psikologjike duke  mashtruar nënën e saj për ti zhvatur asaj më shumë se 140 milion dollarë pasuri që konsistojnë në vepra arti para dhe bizhuteri.

Nëna e saj thuhet se është e veja e një prej koleksionistëve më të mëdhenj të artit në Brazil.

Vajza e saj akuzohet për vjedhjen e veprave  artistike duke i thënë shpesh asaj se ato ishin të mallkuara. Një pikturë, e një prej artistëve më të famshëm të Brazilit, thuhet se u gjet e fshehur nën një shtrat.

Sipas policisë në Rio de Zhaneiro dhe raporteve të mediave lokale, mashtrimi filloi në vitin 2020 kur viktimës iu tha nga një psikolog, që në fakt ishte thjesht një mashtrues,  se vajza e saj ishte e sëmurë dhe ajo u bind të paguante për trajtimin.

Në muajt në vijim, policia thotë se vajza dhe  bashkëpunëtor i saj, i prezantuar si psikolog,  “filluan të merrnin veprat e artit nga shtëpia, duke pretenduar se ishin të mallkuara me diçka negative, me energji negative që duhej zhdukur”.

Vajza dhe të dyshuarit e tjerë dyshohet se e kanë keqtrajtuar gruan , duke e mbajtur në shtëpi për muaj të tërë.

“Ata morën 16 piktura,” tha oficeri i policisë Gilberto Ribeiro për Reuters, duke përfshirë vepra të artistëve të njohur brazilianë.

Një nga pikturat, Sol Poente, u gjet nën një nga shtretërit e të dyshuarit, sipas mediave lokale, ndërsa veprat e tjera thuhet se ishin shitur në galeritë e artit.

Policia thotë se shtatë persona dyshohen për përfshirje në ngjarjen kriminale  dhe përballen me akuzat për përvetësim, grabitje, zhvatje, dhe shumë të tjera.

Top Channel