Kina, përparësi e agjencive amerikane të zbulimit

08/08/2022 22:23

Në një takim të kohëve të fundit me dyer të mbyllura me drejtuesit e qendrës kundër terrorizmit, zyrtari i dytë më i lartë i CIA-s e bëri të qartë se lufta kundër al-Kaidës dhe grupeve të tjera ekstremiste do të mbetej përparësi, por se paratë dhe burimet e agjencisë do të zhvendoseshin gjithnjë e më shumë në çështjet e lidhura me Kinën.

Një vit pas përfundimit të luftës në Afganistan, presidenti Joe Biden dhe zyrtarët e lartë të sigurisë kombëtare flasin më pak për antiterrorizmin dhe më shumë për kërcënimet politike, ekonomike dhe ushtarake të paraqitura nga Kina dhe Rusia. Brenda agjencive të zbulimit ka patur një zhvendosje të qetë të burimeve dhe qindra oficerëve në pozicione të përqendruara në çështjet e lidhura me Kinën, përfshirë disa që më parë punonin në çështjet e lidhura me terrorizmin.

Zyrtarët e agjencive të zbulimit theksojnë se lufta kundër terrorizmit nuk po injorohet. Një javë më parë doli njoftimi mbi një sulm me dron të CIA-s në Kabul, në të cilin u vra udhëheqësit i al-Kaidës Ayman al-Zawahri. Por disa ditë më vonë, Kina organizoi stërvitje ushtarake në shkallë të gjerë dhe kërcënoi të ndërpriste kontaktet me Shtetet e Bashkuara për shkak të vizitës së Kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi në Tajvan. Ky zhvillim nënvizoi mesazhin që zëvendësdrejtori i CIA-s, David Cohen, kishte dhënë në takimin e mbajtur javë më parë, se përparësia kryesore e agjencisë është të përpiqet të kuptojë dhe t’i kundërpërgjigjet Pekinit.

Shtetet e Bashkuara kanë qenë të alarmuara prej kohësh nga ambicjet politike dhe ekonomike në rritje të Kinës. Kina është përpjekur të ndërhyjë në zgjedhjet e vendeve të tjera, ka ngritur fushata të spiunazhit kibernetik dhe të korporatave dhe ka dërguar në kampe miliona ujgurë të arrestuar. Disa ekspertë mendojnë gjithashtu se Pekini në vitet e ardhshme do të përpiqet të pushtojë me forcë ishullin demokratik të vetëqeverisur të Tajvanit.

Zyrtarët e agjencive të zbulimit thonë se ata kanë nevojë për më shumë njohuri për Kinën, të nxitur pjesërisht edhe nga pamundësia për të përcaktuar shkakun e pandemisë së COVID-19. Pekini është akuzuar për fshehje informacioni në lidhje me origjinën e këtij virusi.

Dhe lufta në Ukrainë ka nënvizuar rëndësinë e përpjekjeve të lidhura me Rusinë. Shtetet e Bashkuara kanë përdorur informacione të deklasifikuara për të ekspozuar planet e luftës të presidentit rus Vladimir Putin përpara se ai të fillonte sulmin ndaj Ukrainës dhe për të rekrutuar mbështetjen diplomatike për Kievin.

Mbështetësit e qasjes së administratës së presidentit Biden theksojnë se fakti që Shtetet e Bashkuara ishin në gjendje të gjurmonin dhe të vrisnin al-Zawahrin është dëshmi e aftësive të saj për të identifikuar nga jashtë kërcënimet në Afganistan. Kritikët thonë se fakti që al-Zawahri jetonte në Kabul, nën mbrojtjen e talebanëve, sugjeron se ka një rigjallërim të grupeve ekstremiste që Amerika nuk është e pajisur mirë për t’iu kundërvënë.

Zhvendosja e përparësive mbështetet nga shumë ish-oficerë të zbulimit dhe ligjvënës nga të dyja partitë, të cilët thonë se është e vonuar. Në mesin e mbështetësve janë edhe zyrtarë që kanë shërbyer në Afganistan dhe misione të tjera kundër al-Kaidës dhe grupeve të tjera terroriste.

Ligjvënësi Jason Crow, një ish-ushtarak që ka shërbyer në Afganistan dhe Irak, thotë se Shtetet e Bashkuara kanë qenë tepër të përqendruara në antiterrorizmin në vitet e fundit.

“Një kërcënim shumë më i madh ekzistencial është Rusia dhe Kina”, thotë ligjvënësi demokrat nga Kolorado, i cili është anëtar i Komisionit të Zbulimit dhe Forcave të Armatosura në Dhomën e Përfaqësuesve. Ai tha se grupet terroriste “nuk do të shkatërrojnë mënyrën amerikane të jetesës… ashtu siç mund ta bëjë Kina”.

Zëdhënësja e CIA-s Tammy Thorp vuri në dukje se terrorizmi “mbetet një sfidë shumë reale”.

“Ndonëse krizat si sulmi rus në Ukrainë dhe sfidat strategjike si ajo e paraqitur nga Republika Popullore e Kinës kërkojnë vëmendjen tonë, CIA do të vazhdojë të gjurmojë në mënyrë agresive kërcënimet terroriste në nivel global dhe do të punojë me partnerët për t’i eliminuar ato”, tha zonja Thorp.

Sipas disa njerëzve të njohur me këtë çështje, të cilët folën në kushte anonimiteti, Kongresi ka nxitur CIA-n dhe agjencitë e tjera të zbulimit që ta bëjnë Kinën një përparësi kryesore. Zhvendosja e burimeve drejt Kinës ka çuar në shkurtimin e fondeve në departamentet të tjera, duke përfshirë edhe atë kundër terrorizmit. Shifrat specifike nuk janë të disponueshme sepse buxhetet për agjencitë e zbulimit janë sekrete.

Ligjvënësit duan më shumë informacion rreth zhvillimit nga Kina të teknologjive të përparuara. Nën Presidentin Xi Jinping, Kina ka bërë triliona dollarë investime në shkencën kuantike, inteligjencën artificiale dhe teknologji të tjera që ka të ngjarë të përmbysin mënyrën se si zhvillohen luftërat dhe ekonomitë në të ardhmen.

Në kuadër të këtij ndryshimi, Komisionet e Kongresit po përpiqen të gjurmojnë më mirë se si agjencitë e zbulimit po shpenzojnë fondet e tyre në çështjet lidhur me Kinën, duke kërkuar më shumë hollësi se si programet specifike kontribuojnë në realizimin e këtij misioni, tha një person i njohur me këtë çështje.

“Jemi vonë, por është mirë që më në fund po e përqendrojmë vëmendjen tonë në atë rajon”, thotë Chris Stewart, ligjvënës republikan nga Juta që shërben në Komisionin e Zbulimit të Dhomës së Përfaqësuesve. “Kjo do të thotë investime në njerëz, burime ushtarake dhe në diplomaci.”

CIA vitin e kaluar njoftoi se do të krijonte dy “qendra misioni” të reja, një për Kinën dhe një për teknologjitë në zhvillim, për të centralizuar dhe përmirësuar mbledhjen e informacioneve të zbulimit lidhur me këto çështje. CIA po përpiqet gjithashtu të rekrutojë më shumë njerëz që flasin gjuhën kineze dhe të reduktojë kohën e pritjes për kontrollin e biografisë për të punësuar njerëz të rinj më shpejt. Brenda agjencisë, shumë oficerë po mësojnë gjuhën kineze dhe po kalojnë në role të reja të përqendruara në çështjet që janë të bëjnë me Kinën, megjithëse jo të gjitha ato punë kërkojnë trajnim gjuhësor, thanë njerëz të njohur me këtë çështje.

Zyrtarët vënë në dukje se oficerët e zbulimit janë trajnuar për t’iu përshtatur sfidave të reja dhe se shumë prej tyre u zhvendosën më shpejt në role kundër terrorizmit pas sulmeve të 11 shtatorit 2001.

Qendra Kundër Terrorizmit e CIA-s, e riemërtuar Qendra e Misionit Kundër Terrorizmit gjatë një riorganizimi në vitin 2015, mbetet një pikë krenarie për shumë njerëz që e vlerësojnë punën e saj për mbrojtjen e amerikanëve nga terrorizmi pas 11 shtatorit. Oficerët e CIA-s zbarkuan në Afganistan më 26 shtator 2001 dhe ishin pjesë e operacioneve për rrëzimin e talebanëve, si dhe gjetjen dhe vrasjen e udhëheqësve të al-Kaidës, përfshirë Osama bin Ladenin.

Dhe 13 vjet pasi një agjent i dyfishtë mashtroi oficerët që po gjurmonin al-Zawahrin dhe hodhi veten në erë, duke vrarë shtatë punonjës të agjencisë, CIA e vrau atë në një sulm pa viktima civile të raportuara.

CIA ishte gjithashtu e përfshirë në disa nga momentet më të errëta të luftës kundër terrorizmit. Ajo operonte burgje sekrete për të mbajtur të dyshuarit për terrorizëm, disa gabimisht, dhe u zbulua nga një hetim i Senatit se kishte përdorur metoda të marrjes në pyetje që, sipas ligjeve ndërkombëtare dhe amerikane, klasifikohen si forma të torturës. Njësitë speciale afgane të trajnuara nga CIA u akuzuan gjithashtu për vrasjen e civilëve dhe shkeljen e ligjit ndërkombëtar.

Ka patur një debat prej kohësh nëse antiterrorizmi i tërhoqi agjencitë e inteligjencës shumë larg spiunazhit tradicional dhe nëse një pjesë e punës së CIA-s për gjetjen e terroristëve duhej të bëhej nga forcat speciale të ushtrisë.

Ish shefi i CIA-s në Afganistan, Marc Polymeropoulos mbështet një përqëndrim më të madh në çështjet e lidhura me Kinën dhe Rusinë, por thotë se “Nuk ka asnjë arsye për të zvogëluar rëndësinë e asaj që duhej të bënim”.

“Nuk është e drejtë të thuhet se në njëfarë mënyre e gjithë puna kundër terrorizmi që bëmë, ishte e gabuar, se ne humbëm vëmendjen nga misioni ynë. Duhet të mbani në mend se si u ndjenë njerëzit më 12 shtator”, thotë ai.

Përqëndrimi i vëmendjes nga agjencitë e zbulimit tek Kina dhe Rusia do të zgjasë me vite dhe do të kërkojë durim dhe pranim të faktit se ndryshimi i kulturës së tyre do të marrë kohë, thotë ish zyrtari i lartë i CIA-s Douglas Wise.

“Për dekada, ne jemi marrë me luftën kundër terrorizmit. Ne duhet të kemi një plan racional për të bërë këtë adaptim, në mënyrë që të mos shfrytëzohet nga armiqtë tanë koha që procesi i këtij ndryshimi mund të marrë”, tha ai./VOA

Top Channel