Këngëtarja e njohur greke, Gliqeria, solli një atmosferë të rrallë në Dropull ndërsa performoi para qindra pjesëmarrësve që kishin ardhur për ta ndjekur nga çdo skaj i jugut.

Gliqeria e nisi koncertin me një bllok këngësh të albumit të saj të parë “Ta smirneika” që i dha famë në Greqi në vitet ‘80 hite që dëgjoheshin dhe këndoheshin fshehtas edhe në Jug të Shqipërisë gjatë dekadës së fundit para rënies së komunizmit. Si në të gjitha koncertet ajo solli edhe një këngë në shqip “25 gërsheta” që u soll e përshtatur. Gliqeria këndoi edhe motive të harruara popullore, këngë që u përcollën në  dialektin greqisht të minoritetit grek që ishin një befasi për publikun.

Ekipi organizator i turit të Gliqerisë në Shqipëri konfirmoi se ngjarja kishte muaj të tërë që po përgatitej dhe se ishte eventi më i madh i organizuar në këtë zonë.

Ndërkaq vetë këngëtarja e njohur me një prani në skenë për gati 5 dekada e cilësoi koncertin dhe atmosferën e krijuar një nga sukseset e saj ndërsa Shqipërinë një vend të ngrohtë dhe mikpritës.

“Jam ndjerë shumë mirë që gjithandej ku kam debutuar në Shqipëri i kanë ditur këngët e mia dhe më kanë mirëpritur. Ishte privilegj të këndoja në Dropull për banorët e minoritetit grek që ka jetuar këtu bashkë me ju ndër shekuj. Muzika mund të bashkojë. Unë këndoj edhe këngë shqip për shkak se një anëtar i orkestrës sime është nga Elbasani dhe po punon krah meje prej vitesh. Muzika është diçka që i sjell të gjithë bashkë për të kërcyer nën një ritëm”.

Koncerti zgjati rreth 3 orë dhe ishte finalja e një turneu të mbajtur gjatë vitit të fundit në disa qytete shqiptare.

Top Channel