Noizy ishte i ftuar këtë të enjte në emisionin “Pushime On Top” në një rrëfim të gjatë ekskluziv ku u ndal tek koncerti i tij i titulluar “Alpha Show” i cili do të organizohet më 14 gusht në Tiranë.
Më herët është përfolur se pas koncertit madhështor që reperi do të realizojë në kryeqytet do të largohet nga muzika.
I pyetur nga Ori Nebijaj gjatë intervistës për “Pushime On Top”, Noizy e ka mohuar këtë thashethem duke sqaruar se si qëndron e vërteta.
“Besoj se jam disa vite larg largimit nga muzika. Nuk besoj se do e le muzikën ndonjëherë. Gjithmonë do të merrem me muzikë. Nëse s’do jem aktiv nëpër koncerte, do jem aktiv duke prodhuar muzikë për artista të rinj. Do bëj këngë, por mbase koncertet i rralloj. Kur të vijë mosha 50 vjeç normal që edhe mund të shkëputem”, tha Noizy.
Po çfarë do të bëjë Noizy pas koncertit? Ku do të arratiset?
Reperi është shprehur për “Pushime On Top” se edhe pas koncertit ai do të vazhdojë të punojë, këtë herë për një album të ri.
“Unë po përgatis një album tjetër. Albumi “Alpha” do dali 3 ditë para koncertit. Ndërkohë sapo të mbarojë koncerti do jem në 3 shtete në dy javë.”, është shprehur Noizy.
Reperi theksoi se ende nuk e ka vendosur emrin e albumit të ri për të cilin do të punojë sapo të mbarojë koncerti, por ama e ka të qartë se çfarë emri do t’i vendosi albumit të fundit të karrierës së tij.
“Albumi i fundit do të quhet “Ishte kënaqësi”, shtoi Noizy.
Top Channel