Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç në konferencën për media me rastin e 100 ditëve të qeverisë tha se nismëtarët e mocionit të votëbesimit nuk do t’i mbijetojnë politikisht kësaj.
Ai tha se nuk e di nëse qeveria do t’i mbijetojë 19 gushtit, duke theksuar se të gjitha opsionet mbeten të hapura pas 19 gushtit.
Sipas RTCG, ai u shpreh se DPS, SD në SDP do të marrin përgjegjësinë për destabilizimin që po shkaktojnë.
“Është një rregull universal shumë i thjeshtë, të drejtën që kërkon për vete, ia jep të tjerëve. Nuk do të përjashtoja asnjë opsion. Agjenda ime është përmbushur edhe në datën 19, e pres me shumë qetësi atë datë. Sigurisht që do të duhet të shkojmë në zgjedhje. Me këtë Qeveri, Qeveria e re, pa Qeverinë, por DPS, SD dhe SDP do të duhet të marrin të gjitha përgjegjësitë për destabilizimin në Mal të Zi. Nëse fillon kriza energjetike, nëse duhet të ribalancojmë, dhe të mos ketë qeveri, çfarëdo kufizimi që të ketë, qytetarët duhet t’i synojnë ato tri parti”, tha ai.
Nisma e mocionit të votëbesimit është dorëzuar në Kuvend një ditë më parë nga kryetarët e grupeve parlamentare të Partisë Demokratike të Socialistëve, Partisë Socialdemokrate dhe Liberale, Socialdemokratëve dhe Bashkimit Demokratik të Shqiptarëve, pas nënshkrimit të Marrëveshjes Themelore të Shtetit me Kishën Ortodokse Serbe.
Ai shtoi se Marrëveshja Themelore është nënshkruar pa prezencën e mediave sepse Kisha Ortodokse Serbe ka kërkuar që ajo të bëhet në heshtje në rezidencën shtetërore.
Ai theksoi se nuk e dinte që nënshkrimi do të bëhej më 3 gusht dhe se nuk është nënshkruar fshehurazi, por se ky është perceptimi i disa mediave.
“Për Marrëveshjen Themelore flitet prej 10 vitesh. Unë e kam thënë më shumë se 25 herë që do të jetë gjatë gushtit dhe ministri i Drejtësisë tha një natë më parë se do të nënshkruhet në mes të gushtit. Unë kam takime çdo ditë, çdo ditë pas takimit dërgojmë një foto dhe një deklaratë. Ata donin që kjo të bëhej në heshtje në rezidencën shtetërore dhe nëse mund të kishin ekipin e tyre mediatik. Thashë po, çfarë problemi është”, tha ai.
“Mendova se do të ishte në datën 6 apo 14 kur të vinte Patriarku Porfir. Ndodhi që ishte i treti. Fakti që dikush ka dashur konflikte dhe i ka lënë hije një akti që është solemn, ndaj i kanë prishur planet, jam shumë i kënaqur dhe i lumtur”, tha ai.
“Kushdo që ishte i sinqertë do të thotë se kisha të drejtë. Nuk është firmosur në fshehtësi, është firmosur para 30 personave. Mediat nuk janë ftuar, është e drejtë, ka qenë vendimi, por janë njoftuar menjëherë pas nënshkrimit”, tha ai.
Top Channel