Një ngjarje e rëndë kriminale është parandaluar në Korçë.

Një 26-vjeçar që kishte dalë muajt e fundit nga burgu, dyshohet se do të kryente një vrasje me pagesë.

26-vjeçari me iniciale K.A., është arrestuar pasi është konstatuar se qarkullonte i armatosur dhe gati për qitje.

Sapo ka konstatuar se ishte nën ndjekjen e Policisë, ai është përpjekur të largohet me shpejtësi dhe ka nxjerrë nga brezi, armën e mbushur, të cilën e ka hedhur në një kosh, në anë të rrugës.

Arma u sekuestrua nga shërbimet e Policisë, në cilësinë e provës materiale.

Ai akuzohet për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Gjithashtu u procedua penalisht, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, një 17-vjeçar, që, në momentin e kapjes, ka qenë i shoqëruar me shtetasin K. A. 17-vjeçari dyshohet që ka pasur dijeni se shtetasi K. A. mbante me vete armë zjarri.

Ndërkohë, vijon puna intensive, për sqarimin dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje, të cilat, për arsye hetimore, nuk i bëjmë dot me dije.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprime të mëtejshme.

Top Channel