Kultivuan 527 rrënjë kanabis, në pranga 45-vjeçari, djali dhe nipi i tij i mitur në Pukë

30/07/2022 10:07

Një 45-vjeçar në Pukë është arrestuar nga policia bashkë me djalin dhe nipin e tij, pasi akuzohen se kanë kultivuar bimë narkotike.

Ata janë kapur  në flagrancë duke vaditur bimët narkotike. 45-vjeçari, djali dhe nipi i tij, që shkonin nga Nikla në Qafën e Malit, Pukë, për të kultivuar bimë narkotike në një zonë të pyllëzuar.

Në pranga ranë L. S., 45 vjeç, djali dhe nipi i tij, përkatësisht 16 dhe 17 vjeç, të tre banues në Nikël, Krujë.

Më bashkëpunim me njëri-tjetrin, ata kishin kultivuar, në një zonë të pyllëzuar në vendin e quajtur “Laku i Palucajve”, në territorin e fshatit Qafë-Mali, 527 bimë të dyshuara narkotike kanabis, të cilat u asgjësuan me anë të djegies, ndërsa një sasi u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Shërbimet e Policisë, në bashkëpunim me Prokurorinë, po punojnë për identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë, të cilët mund të jenë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pukë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.

Top Channel