Krim brenda familjes në Elbasan/ 37-vjeçari vret me thikë bashkëjetuesen për xhelozi, gruaja ishte me urdhër-mbrojte, e kishte denoncuar dhunën

30/07/2022 07:41

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e kësaj të shtune në lagjen “Skënderbej” në Elbasan, ku një 37-vjeçar ka goditur me thikë bashkëjetuesen.

Mësohet se 37-vjeçari  Ramis Mici, ka goditur me thikë për vdekje bashkëjetuesen e tij shtetasen Jetlira Elezin, po 37 vjeçe, për shkaqe xhelozie.

Si pasojë e plagëve të marra nga goditjet me thikë ajo ka humbur jetën.

Ramis Mici dhe Jetlira Elezi

Ramis Mici së bashku me 37-vjeçaren jetonin në lagjen “Skënderbej” prej 4 muajsh në një banesë me qira. 37-vjecarja ishte e divorcuar dhe kishte dy fëmijë nga martesa e parë.

Edhe autori i vrasjet ishte i divorcuar dhe kishte dy fëmijë nga martesa e mëparshme.

Mësohet se para pesë ditësh, kishte ndodhur një sherr mes tyre dhe 37-vjeçari e kishte dhunuar bashkëjetuesen.

Viktima kishte kërkuar ndihmë në polici dhe ishte pajisur me urdhër mbrojtje.  Prej asaj dite, ata jetonin në të njëjtën shtëpi por me dhoma të ndara.

Sot 37-vjeçarja do të largohej nga banesa pasi kishte gjetur shtëpi tjetër.

Fatmirësisht dy fëmijët e mitur nuk kane qene ne banese ne momentin e krimit. Nisur nga situata e rëndë me bashkëjetuesin Jetlira kishte dërguar fëmijët tek babai i tyre.

Ndërkohë, policia është vënë në ndjekje të autorit, i cili është larguar nga vendi i ngjarjes pasi ka kryer krimin.

Top Channel