Manovra të rrezikshme afër bregdetit/ Pesë mjete lundruese të bllokuara gjatë korrikut, gjobiten 25 drejtues

29/07/2022 08:58

Pesë mjete lundruese “Jet ski” janë bllokuar gjatë korrikut, ndërsa janë ndëshkuar me gjobë 25 drejtues, të cilët kanë kryer manovra të rrezikshme, duke rrezikuar jetën e pushuesve.

Si rezultat i kontrolleve, 25 drejtues të mjeteve lundruese, kryesisht “Jet ski” janë ndëshkuar me masë administrative 10.000 lekë.

Ndërsa gjatë 24 orëve të fundit janë gjobitur dy drejtues dhe u janë bllokuar mjetet lundruese, pasi kryen manovra të rrezikshme në plazhin e Ksamilit. Personat e gjobitur sot janë E. H., banues në Sarandë dhe shtetasi K. K., banues në Tiranë.

Kujtojmë se vendi ynë po përballet prej javësh me aksidente me mjete lundruese në bregdetin e vendit tonë.

Një 40-vjeçar përplasi gomone një 7 vjeçar në plazhin e Jonufrës në Vlorë Pasi u arrestua, ai u la i lirë këtë të premte. Gjykata e Shkallës së Parë të rrethit gjyqësor Vlorë, vendosi masën “Detyrim paraqitje” ndaj Andis Korreshit.

Incidenti ndodhi teksa 7-vjeçari po notonte në breg, ndërsa 40-vjeçari nuk ka respektuar kufizimin me bova detare dhe është futur në zonën në të cilën nuk lejohet lëvizja e mjeteve lundruese, duke lënë të plagosur fëmijën.

Ndërsa më 17 korrik, Gjergji Priftuli humbi kontrollin e gomones duke plagosur dy pushues në Jal.

Dëshmitarët thanë se 37-vjeçari po kryente manovra të rrezikshme disa qindra metra larg bregut dhe më pas u rrëzua në ujë. Në këto moment gomonia u nis me shpejtësi dhe përplasi çiftin e të rinjve në breg të detit.

Pamjet kur mjeti lundrues godet çiftin e  pushuesve shqiptarë 31 dhe 25 vjeç të cilët mbetën të lënduar u siguruan nga Top Channel. Ata u transportuan në Tiranë në spitalin e Traumës me helikopter. Djali u dëmtua në brinjë dhe në fytyrë ndërsa vajza u lëndua në disa pjesë të trupit.

DVKM Vlorë/Policia Kufitare vijon kontrollet e përditshme, përgjatë vijës bregdetare të qarkut Vlorë. Kontrollet kanë si qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë për pushuesit. Gjatë muajit korrik, si rezultat i kontrolleve, janë ndëshkuar me masë administrative 10.000 lekë të rinj secili, 25 drejtues të mjeteve lundruese, kryesisht “Jet ski”, nga të cilat 3 janë bllokuar.

Bllokohen edhe 2 mjete të tjera lundruese “Jet ski” dhe ndëshkohen me masë administrative pronarët e tyre, të cilët kryen manovra të rrezikshme, duke rezikuar jetën e pushuesve, në plazhin e Ksamilit. Shërbimet e Policisë Kufitare Sarandë, në vijim të kontrolleve për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, me qëllim krijimin e një ambienti të sigurtë për pushuesit, kanë marrë njoftim për dy shtetas që kryenin manovra të rrezikshme me mjete lundruese, në det, duke rrezikuar pushuesit.

Pas lokalizimit të dy mjeteve lundruese, në bazë të ligjit nr.127, datë 15.10.2020, neni 14/b, u ndëshkuan me masë administrative 10.000 lekë të rinj secili, pronarët e mjeteve lundruese, shtetasi E. H., banues në Sarandë dhe shtetasi K. K., banues në Tiranë. Gjithashtu u bë bllokimi i të dy mjeteve lundruese “Jet ski” me të cilët këta shtetas kryen manovra të rrezikshme, në plazhin e Ksamilit.

Policia Kufitare do të vijojë kontrollet me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë për pushuesit, gjatë sezonit turistik, dhe fton qytetarët që të denoncojnë çdo rast paligjshmërie, në aplikacionin Komisariati Dixhital ose të telefonojnë në numrin pa pagesë 112, duke iu garantuar anonimatin, reagim të shpejtë dhe profesional”, sipas policisë.

Top Channel