“International Half Marathon night Enkelana”/ Ja cilat rrugë do të bllokohen ditën e nesërme në Pogradec

29/07/2022 13:35

Pogradeci ditën e nesërme në orën 19:00 do të zhvillojë aktivitete “International Half Marathon night Enkelana”.   

Shoqata “Maraton Albania” dhe bashkia Pogradec, në kuadër të planit të aktiviteteve, do të organizojnë një aktivitet sportiv maratonë, i cili përfshin dy disiplina:

-Disiplina e parë (21 km), e cila starton nga fshati Lin, vazhdon përgjatë aksit rrugor buzë liqenit dhe përfundon në qytetin e Pogradecit (lulishtja “Një Maji”, ish-kampi i punëtorëve);

-Disiplina e dytë (10 km), e cila straton nga lulishtja “Një Maji” dhe vazhdon drejt fshatit turistik Drilon, duke përfunduar tek pika e nisjes, në qendër të Pogradecit.

Për këtë arsye policia do të marrë disa masa për ruajtjen e rendit publik, krijimin e parametrave të sigurisë rrugore, qarkullimi i lirë pa rreziqe për garuesit dhe parandalimin aksidenteve.

Ditën e nesërme do të jenë të bllokuara këto rrugë:

Aksi rrugor Lin-Pogradec-Tushemisht (deri në dalje të qytetit, fshati Buçimas) do të jetë i bllokuar nga ora 18:30 deri në orën 21:00, me përfundimin e këtij aktiviteti.

Edhe në brendësi të qytetit të Pogradecit do të jenë të bllokuara rrugët “Dëshmorët e Pojskës”, “Kajo Karafili”, “Gani Butka”, “Sul Starovari”, sipas orarit të paracaktuar.

Gjatë orarit të kufizimit të lëvizjes rekomandohet përdorimi i rrugës tjetër alternative, Tiranë-Elbasan-Gramsh-Moglicë-Maliq-Korçë.

Top Channel