Shkalla e inflacionit në Eurozonë mbërriti në 8.9 për qind në muajin korrik, një shifër rekord kjo që fashit shpresat e një frenimi të rritjes së çmimeve të ushqimit dhe energjisë, të nxitur nga lufta e paprovokuar e Rusisë në Ukrainë.

Agjencia e Bashkimit Europian për Statistika – Eurostat – nxori të dhënat që tregonin se niveli i inflacionit në 19 shtete anëtare pësoi rritje këtë muaj, në dallim nga 8.6 për qind që ishte në qershor.

Në zemër të rritjes së shfrenuar të çmimeve kanë qenë ato të energjisë, të cilat u shtuan me 39.7 për qind këtë vit. Çmimet e ushqimit, ndërkaq, janë rritur me 9.8 për qind në bazë vjetore.

Presioni për inflacion global ishte ndërkohë i lartë për shkak të pandemisë së koronavirusit. Por shpërthimi i luftës në Ukrainë, që tani ka hyrë në muajin e gjashtë, dha goditjen përfundimtare duke vënë në rrezik rritjen globale në sfondin e një krize të furnizimeve.

Të dyja këto zhvillime së bashku ndikuan në spiralen e inflacionit në mbarë boten. Por pavarësisht faktit që parashikohet ngadalësim i rritjes ekonomike, ekspertët ende mendojnë se për sa i përket vitit të ardhshëm, ajo nuk do të cekë në territor negative, pra të shkojë në recesion.

Top Channel