Ambasada amerikane uron 45 magjistratët e rinj: Shqiptarët duan që të jeni të pavarur dhe të paanshëm!

29/07/2022 17:50

Ambasada amerikane në Shqipëri ka uruar magjistratët e rinj që i janë bashkuar sistemit të drejtësisë, ndërsa thekson se “qytetarët shqiptarë presin prej tyre drejtësi të paanshme dhe pavarur”.

Në një postim në rrjetin social “Facebook”, ambasada thekson se reforma në drejtësi mbetet element kyç në rrugën drejt integrimit europian.

“Urime 45 magjistratëve e rinj të cilët iu bashkuan gjykatave dhe prokurorive këtë javë. Qytetarët shqiptarë presin që ju të jeni gjyqtarët dhe prokurorët me nivelin më të lartë të integritetit dhe profesionalizmit, duke treguar kurajon për të qenë të pavarur dhe të paanshëm në çdo hap të rrugës tuaj. Ne mbështesim Këshillat dhe Shkollën e Magjistraturës në punën e tyre për plotësimin në kohë të vendeve vakante, në mënyrë që drejtësia të vendoset sa më shpejt të jetë e mundur. Reforma në drejtësi po përparon dhe zbatimi i suksesshëm i saj mbetet kyç për të çuar më tej integrimin e Shqipërisë në BE“, shkruan ambasada amerikane në vendin tonë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ambasadorja Yuri Kim  kanë ndjekur vazhdimisht procesin e reformës në drejtësi, teksa zyrtarët amerikanë shprehen se drejtësia në Shqipëri po hyn në fazën ku do t’u shërbejë qytetarëve dhe jo të paprekshmeve.

Përpos vetting-ut, reforma ka sjellë institucione të reja për të hetuar gjyqtarët dhe prokurorë, një ndër ta edhe Inspektoriatin e Lartë të Drejtësisë.

Top Channel