Vrasja e ish-drejtorit të tensionit të lartë për Veriun/ Gjykata lë në burg Dorjan Keqin, 40-vjeçari mohon akuzat

28/07/2022 17:35

Këtë të enjte është përballur me gjykatën për masën e sigurisë, Dorjan Keqi, i akuzuari për vrasjen e ish-drejtorit  të OST, Sajmir Jaku në vitin 2016.

Prokurori ka kërkuar masën e sigurisë arrest me burg, që është pranuar nga gjyqtarja e çështjes Elsa Ulliri, e cila ka caktuar ndaj të dyshuarit Dorjan Keqi “arrest me burg”.

Në sallën e gjyqit, Keqi nuk ka pranuar përfshirjen në ngjarjen e ndodhur në qendër të Rrëshenit, ndërsa ka deklaruar se ditën e ngjarjes ka qenë në Vinjoll të Kurbinit.

Avokati ka qenë caktuar nga shteti ndërsa në gjykata nuk ka qenë asnjë nga familjarët.

Dorjan Keqi, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, dyshohet se e ka kryer krimin e vrasjes së shtetasit Saimir Jaku, kundrejt pagesës. Porositësit e vrasjes dyshohet të jenë një grup i strukturuar kriminal që vepron në qarkun Lezhë, tashmë të identifikuar dhe nën hetim nga ana e Policisë.

Por si ndodhi ngjarja gjashtë vite më parë?

Vrasja u shënua në një lokal në qendër të qytetit të Rrëshenit, pak metra larg komisariatit, ku viktima, Saimir Jaku kishte shkuar të pinte një kafe. Autorët e maskuar sipas dëshmitarëve okularë, kanë qenë dy persona të armatosur, ku njëri prej tyre ka dalë nga automjeti tip Benz dhe ka qëlluar me breshëri automatiku në drejtim të Saimir Jakut. Ky i fundit ka gjetur vdekjen e menjëhershme nga plumbat të cilët i kanë përshkuar disa pjesë të trupit. Në atë ngjarje ka mbetur I plagosur edhe shtetasi Gjergj Prenga 50-vjeç nga Rrësheni i cili në momentin e ngjarjes ka qenë duke pire kafe me viktimën.

Top Channel