Shpërndarje e drogave të forta në Elbasan/ Arrestohet një person, në kërkim bashkëpunëtori

28/07/2022 10:35

Një 37-vjeçar me inicialet E.K. është arrestuar ditën e sotme në Elbasan, pasi kryente aktivitetin e shitjes së lëndëve narkotike, ndërsa bashkëpunëtori i tij 28-vjeçari me inicialet E.R është shpallur në kërkim.

Në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal në fushën e prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike, bazuar dhe në informacionet e grumbulluara në rrugë operative për dy shtetas që posedonin dhe shpërndanin lëndë narkotike heroinë, në qytetin e Elbasanit, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve dhe Seksioni Operacional në DVP Elbasan, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Share”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, i shtetasit:

  1. K., 37 vjeç, banues në Elbasan, i dënuar më parë për të njëjtën vepër penale.

Gjithashtu është shpallur në kërkim shtetasi E. R., 28 vjeç, banues në Elbasan.

Shtetasi E. K. është arrestuar në flagrancë nga shërbimet e Policisë, pasi gjatë kontrollit në automjetin me të cilin qarkullonte u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi lënde e dyshuar narkotike heroinë. Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit në banesën e tij u gjetën dhe u sekuestruan 4 aparate celulare, një peshore elektronike dhe një shumë parash e dyshuar e përfituar nga veprimtaria kriminale.

Nga veprimet hetimore dyshohet se bashkëpunëtor në këtë veprimtari kriminale është edhe shtetasi i shpallur në kërkim E. R. Punohet për kapjen e tij dhe për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtyre shtetasve.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme.

 

Top Channel