Nxënësit dhe mësuesit në të gjithë vendin tonë sezonin e parë të vitit shkollor 2021-2022  e mbyllën pa një regjistër fizik, kjo për shkak se po ndërtohej aplikacioni  SMIP ose thënë ndryshe Sistemi i Menaxhimit të Informacionit Parauniversitar  i ngjashëm me E-Albania i cili do të funksiononte si një regjistër online.

Emisioni Fiks Fare në Dhjetor të vitit të shkuar solli në vëmendje këtë problem ku drejtuesit e disa shkollave në qytetin e Tiranës dhe ZVAP flisnin mbi këtë ngërç duke ja hedhur fajin ministrisë dhe kompanisë e cila ishte tenderuar.

Por sot vetëm pak kohë pas përfundimit të të gjithë vitit shkollor mësuesit ndodhen  përpara një  sfide tjetër në kalimin e vlerësimeve  të nxënësve dhe të dhënat e tyre në sistemin online.

Alma Lama krye sindikaliste e Sindikatës së Mësuesve në qytetin e Tiranës thotë për kamerën e Fiks Fare se “Ministria duhet të marrë masa, pasi shumë mësues po punojnë pa pasur infrastrukturën e nevojshme, kompjuter dhe internet.

Në shumë shkolla mësuesit po punojnë me mjetet e tyre marrin kompjuterët personal dhe zhvendosen në ambiente të ndryshme ku u mundësohet internet për ta mbyllur në kohë vlerësimin për nxënësit përkatës.

Veç kësaj mësuesit janë të painformuar plotësisht, pasi ky aplikacion është ndryshuar disa herë, mësuesit kanë kaluar shumë të dhëna para disa kohësh dhe aplikacioni u fshi duke hedhur poshtë gjithë mundin e tyre.

Në sezonin e ri Ministria duhet të marrë masa që çdo mësues të ketë kompjuterin e tij, pasi në të kundërt i duhet të përdorë telefonin personal në orën e mësimit”.

Sistemi i Menaxhimit të Informacionit Pararsimor ,aplikacioni SMIP, një risi e re e prezantuar nga Ministria e Arsimit që prej muajit janar 2022  me qëllimin e koordinimit të marrëdhënies mësues-prind-fëmijë dhe gjithashtu për të  inkurajuar përdoruesit të përdorin teknologjitë e reja në arsim brenda këtij sistemi.

Por kamera e Fiks Fare për disa ditë me radhë  në një vëzhgim të përgjithshëm në disa shkolla në qytetin e Tiranës dhe në periferi dhe në biseda me mësues, vërtetoi se shkollat nuk kishin infrastrukturën e nevojshme për të bërë të mundur punën në këtë aplikacion. Mësuesit pranojnë që marrin nga shtëpia kompjuterët e tyre i lidhin me internet nga telefoni për të mbyllur punën që u është kërkuar, pasi në shkollën e tyre kompjuterët nuk funksionojnë.

Gjithashtu tregojnë se puna e kryer pak kohë më parë në këtë aplikacion  u ka shkuar dëm pasi u ndërtua për herë të dytë.  Duke qenë se kamerat e Fiks Fare u interesua në disa shkolla të vendit rreth infrastrukturës dhe ecurisë së aplikacionit SMIP dhe vunë re se në shumë prej tyre mungonin kushtet minimale për funksionimin e këtij sistemi, redaksia e emisionit kërkoi informacion pranë  Drejtorisë së Përgjithshme të Arsimit Parauniversitar në lidhje me trajnimin e mësuesve dhe infrastrukturën në shkolla veçanërisht internet dhe kompjuter.

Nga ky institucion  u tha se Ministria e Arsimit dhe Sporti ka pajisur  me mjetet e nevojshme kompjuter dhe laptop  të gjitha institucionet arsimore për të siguruar akses në program , por pyetja nëse janë këto institucione të pajisura dhe me internet nuk ju përgjigj asnjë.

Duke i krahasuar përgjigjet e kësaj Drejtorie me faktet që Fiks-i pa, duket se kjo drejtori nuk është mjaftueshëm e qartë se për funksionimin e këtij sistemi duhet dhe internet  dhe  kompjuter gjithashtu.

FOTO GALERI
11/12

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA