Sulmohen ndërtesat dhe porti në Odesa dhe Mykolaiv, tre të vdekur

26/07/2022 22:54

Rajonet e Detit të Zi në Ukrainë, Odesa dhe Mykolaiv, u sulmuan sot nga raketat ruse që goditën godina private dhe infrastrukturën e portit përgjatë bregdetit jugor.

Forcat ruse përdorën raketa nga ajri për sulmin, tha Komanda Operacionale e Ukrainës Jugore në një postim në Facebook.

Në rajonin e Odesas, një numër godinash private në fshatrat bregdetare u goditën dhe morën zjarr, sipas njoftimit. Në rajonin e Mykolaivit sulmet kishin në shënjestër infrastrukturën e portit.

Disa orë pas sulmeve në jug, një zyrtar i vendosur nga Moska në rajonin jugor të Khersonit tha se së shpejti forcat ruse do t’i “çlirojnë” rajonet e Odesës dhe Mykolaivit, ashtu si Khersonin më në lindje.

Zhvillimet vijnë pasi Ukraina dukej se po përgatiste një kundërofensivë në jug.

Në fundjavë Rusia sulmoi portin e Odesës. Ushtria britanike tha të martën se nuk kishte shenja që atje të kishte një anije luftarake dhe raketa ukrainase, siç kishte pretenduar Moska.

Ministria britanike e Mbrojtjes tha se Rusia e sheh përdorimin e raketave kundër anijeve nga ana e Ukrainës si “një kërcënim kyç” ndaj flotës së saj në Detin e Zi.

Zyra e presidentit ukrainas tha të martën se gjatë 24 orëve të fundit ushtria ruse kishte vrarë të paktën tre civilë dhe plagosur tetë të tjerë në Ukrainë.

Top Channel