Kalifornia është përfshirë nga zjarre masiv që janë përhapur në mijëra hektarë tokë dhe pyje, teksa miliona amerikanë po përjetojnë vapën përvëluese me temperatura rekord.
Vala e të nxehtit ka rritur rrezikun e zjarreve. Sukuajat gjigante në Parkun Kombëtar Yosemite po kërcënohet nga flakët që po përhapen me shpejtësi.
Dhjetë prona privare janë shkatërruar dhe pesë të tjera kanë mbetur të dëmtuara në epiqendrën e zjarreve, në Mariposa.
Mbi 6.000 njerëz u evakuuan deri të shtunën në mbrëmje, pasi Departamenti i Pyjeve dhe Mbrojtjes nga Zjarri i cilësoi flakët totalisht jashtë kontrollit.
Mbi 500 zjarrfikës ndodhen në terren, por zyrtarët thonë se duhet një javë për të neutralizuar vatrat.
Shkencëtari i klimës, Daniel Swain, shkroi në Twitter se zjarri është ekstremisht agresiv”, ndërsa përdoruesit e rrjeteve sociale, të habitur postuan imazhet e shtëllungave të tymit që ngriheshin qindra metra mbi ajër.
Vitet e fundit, Kalifornia dhe pjesë të tjera të Shteteve të Bashkuara perëndimore janë shkatërruar nga zjarre të mëdha e të shpejta, të nxitura nga thatësira dhe temperaturat e larta.
Top Channel